Arrestimi i Aleksej Navallnit pas arritjes së tij në Moskë është e papranueshme, tha kryetari i Këshillit evropian, Sharl Mishel, duke bërë thirrje për lirimin urgjent të opozitarit.
Diplomati numër një i BE-së, Zhozep Borel u bëri thirrje autoriteteve ruse t’i respektojnë të drejtat e Navallnit dhe gjithashtu kërkoi lirim urgjent të tij. Borel shtoi se politizimi i gjyqësisë është i papranueshëm.
Xhejk Salivan, këshilltar i ardhshëm për siguri nacionale në administratën e presidentit të ardhshëm amerikan, Xjho Bajdën, gjithashtu kërkoi lirimin urgjent të Navallnit.
Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë shfaqi shqetësim lidhur me arrestimin e Navallnit. Në kumtesë bëhet thirrje për lirimin urgjent dhe hetim të plotë të pavarur për tentimin për atentat ndaj tij.
Kryeministri polak, Matush Moravjecki, arrestimin e Navallnit e quajti edhe një tentim për frikësim të opozitës demokratike në Rusi dhe shtoi se është e domosdoshme përgjigje e qartë nga BE-ja. Moravjecki përkujtoi se respektimi i të drejtave të qytetarëve është gur-themel i demokracisë.
Ministri çek i Punëve të Jashtme, Tomas Petarzhiçek deklaroi se ka ndër mend ta njoftojë Këshillin e BE-së për arrestimin e Navallnit. Ai do të insistojë që kjo çështje të shqyrtohet në takimin e ardhshëm të Këshillit në nivel të ministrave të punëve të jashtme.
Diplomati numër një i Sllovakisë, Ivan Korçok tha se Navallni nuk e ka vendin në burg, por në skenën politike, si pjesëmarrës në garën e lirë dhe të sigurt politike.