Qeveria pret efektet e masave të saj për stabilizim të ekonomisë të bëhen të dukshme në kuartalin e parë të vitit, ndërsa nga LSDM-ja qeveritare arrijnë paralajmërime për investime të rreth 23 miliardë denarëve në investimet kapitale gjatë vitit 2021.
Ministri i Financave Fatmir Besimi dje nga Tetova paralajmëroi se tashmë në kuartalin e parë të vitit 2021 do të shihen efektet e masave të cilat Qeveria përmes buxhetit shtetëror i ndërmori me qëllim që të stabilizohet ekonomia në gjendjen e krizës, duke paralajmëruar edhe mjete tjera për pakon e masave për këtë vit, përveç 85 milion euro nga buxheti shtetëror për mbështetje të ekonomisë, sektorit shëndetësor dhe kategorive sociale të cilat i ndjejnë efektet e krizës-kovid.
Besimi theksoi se disa masa tashmë po zbatohen, ndërsa po komunikojnë me odat për realizimin e tyre, me ç’rast në vazhdimësi do të punohet edhe në promovimin e tyre.
“Ajo që është porosi e rëndësishme për biznesmenët dhe qytetarët është se ne në bazë ditore i ndjekim lëvizjet, dëgjojmë, marrim sugjerime të caktuara, bëjmë analiza dhe me kohë do të dalim me masa të caktuara, siç ishte në vitin 2020. Pas të gjitha raporteve të FMN-së dhe të institucioneve të tjera relevante edhe efekti i politikave mikroekonomike dhe masave dha rezultat në zbutjen në efektin e krizës të cilin e kishte në ekonominë dhe jetën tonë”, konsideron Besimi.
Kryeministri Zoran Zaev në Fejsbuk publikoi se Qeveria ka miratuar Program për promovim të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe nxitje të efikasitetit energjetik në amvisëritë për vitin 2021, me të cilën janë parashikuar 52 milion denarë për kompensim të shpenzimeve për furnizim të kolektorëve të diellit, dritare PVC ose të aluminit, stufa me peletë dhe panele fotonaponike për prodhimtarinë e energjisë elektrike.
“Është paraparë që të shfrytëzohen 52.000.000 denarë për kompensimin e një pjese të shpenzimeve për blerje dhe vendosje të: sistemeve kolektorë termalë me diell në amvisëri deri në 30%,por jo më shumë se 10.000 denarë për amvisëri dhe deri në 70%, por jo më shumë se 15.000 denarë për amvisëri, për persona me të ardhura të ulëta; dritare PVC dhe alumini në amvisëri deri në 50%, por jo më shumë se 20.000 denarë për amvisëri dhe deri në 70%, por jo më shumë se 25.000 denarë për amvisëri, për kategorinë e personave me të ardhura të ulëta; Stufa me peletë në amvisëri deri në 50%, por jo më shumë se 20.000 denarë për amvisëri dhe deri në 70%, por jo më shumë se 25.000 denarë për amvisëri, për persona me të ardhura të ulëta dhe panele fotonaponike për prodhimin e energjisë elektrike deri në 4 kW për konsum vetanak për amvisëritë, në ndërtim në të cilën ka të drejtë prone ose për shfrytëzim, deri në 30%, por jo më shumë se 62.000 denarë për amvisëri”, thekson Zaevi.
Në të njëjtën kohë, LSDM-ja qeveritare përmes një kumtese partiake paralajmëroi vazhdim të investimeve në infrastrukturë dhe projektet kapitale, që të mundësohet rifillimi i ekonomisë së Maqedonisë dhe të sigurohet bazë për kushte më të mira ekonomike dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.
“Në Buxhetin e vitin 2021 për investimet kapitale janë planifikuar rreth 23 miliard denarë, që është për 20 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, citon partia.
Sipas LSDM-së Qeveria vazhdon me mbështetje të fuqishme ndaj ekonomisë së Maqedonisë, me qëllim të tejkalimit të shpejtë të pasojave negative nga koronavirusi.
Para nesh është një vit i sfidave ekonomike dhe mundësive. Përmes qasjes së përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, realizojmë politika që sigurojnë rritje ekonomike, ekonomi më konkurente dhe standard jetësor më të mirë për të gjithë. Kujdesi për të gjithë vazhdon”, citon LSDM.
Megjithatë, sipas VMRO-DPMNE-së opozitare, nga pakoja e masave të deritanishme antikrizë janë realizuar vetëm 50 për qind e mjeteve, nuk ka pasur kurrfarë investime kapitale dhe ekonomia ka ardhur në kolaps.
“Pa punë mbetëm 54 mijë punëtorë dhe po aq nuk marrin pagë të rregullt për shkak të politikave të gabuara ekonomike gjatë krizës, të cilat u reduktuan në populizëm të zhveshur dhe korrupsion elektoral. Madje 6200 kompani falimentuan në vitin 2020, ndërsa mbi 500 mijë qytetarë jetojnë në varfëri me vetëm dy euro në ditë”, pohojnë nga VMRO-DPMNE.