Nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç, nuk ishte në gjendje të thotë se kur Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit do t’i marrin vaksinat e premtuara kundër Kovid-19 nga BE-ja, raporton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Shefçoviç përsëriti që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e “mbështesin” dhe “qëndrojnë në solidaritet” me Ballkanin Perëndimor, si dhe me vendet e tjera në fqinjësinë lindore dhe jugore të BE-së, në luftën kundër virusit.
Nënkryetari, megjithatë nuk ishte në gjendje të përgjigjej qartë në pyetjen e MIA-s se kur Maqedonia e Veriut do t’i marrë vaksinat, dhe as pse dozat e premtuara nga Greqia dhe Bullgaria nuk kanë arritur.
Sot, ministrat e Çështjeve Evropiane zhvilluan takim përpara Samitit të liderëve të BE-së, i cili është i caktuar për më 21 janar dhe diskutuan, ndër të tjera për fushatën e vaksinimit në BE.
Vetë BE-ja përballet me tensione të brendshme për shkak të koordinimit joefikas midis vendeve anëtare në furnizimin e vaksinave.
Shefçoviç theksoi se BE-ja është “donatorja kryesore” për koalicionin Kovaks, i cili ka për qëllim të ndihmojë vendet me të ardhura më të ulëta të marrin vaksina për popullsinë e tyre.
“BE-ja do të bëjë gjithçka që Kovaks të sjellë rezultate”, tha Shefçoviç.