Vaksinat e para “Fajzer” të kontraktuara drejtpërdrejt me prodhuesin do të mbërrijnë në shkurt, kur priten vaksinat përmes sistemit KOVAKS të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit shëndetësorë që trajtojnë pacientët me kovid, ndërsa sipas planit të imunizimit, në kategoritë prioritare janë personat mbi 70 vjeç, të sëmurët kronikë, personat me nevoja të veçanta në institucione dhe personeli mjekësor që janë në rrezik më të ulët.
“Vaksinat duhet të arrijnë. Nevojiten shumë përgatitje të cilat duhet të bëhen. Kemi të bëjmë me metodologji të njohur, e cila është e sigurt dhe efektive. Vaksinën së pari do ta marrin grupet prioritare. Sipas vendimit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse në vend dhe të Qeverisë ato do të jenë punonjësit shëndetësorë, që është rast edhe me të gjithë vendet e tjera të botës. Duhet ta kuptoni se ka filluar mbrojtja. Do të nevojitet kohë që ajo të mjaftojë për të gjithë. Por, mund të ju siguroj se Qeveria dhe vendi po bëjnë gjithçka që të jenë të mbrojtur të gjithë në vend”, deklaroi Tavilla pas dorëzimit të donacionit nga OBSH në institutet e mjekësisë ligjore dhe mikrobiologjisë”, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pse ende nuk ka vaksina kundër virusit korona në vend.
Ajo sqaroi se situata rreth vaksinimit është e ndryshme në çdo vend.
“Kjo vaksinë përdoret për vaksinim urgjent, e jo si vaksinat e tjera të rregullta të cilat vijnë në treg. Kjo nënkupton se nevojitet ndjekje shumë e kujdesshme dhe mësim nga ana e Qeverisë, që të sigurohet se po zbatohet vaksina e vërtetë”, sqaroi përfaqësuesja e OBSH-së në vend.
Ajo konsideron se nuk arsyeton vlerësimet se mekanizmi KOVAKS nuk funksionon.
“Nuk e di se në çfarë informacione e bazoni vlerësimin e tillë se KOVAKS nuk funskionon. Ne kemi informacione se vaksinat KOVAKS do të arrijnë shumë shpejtë. Ministria e Shëndetësisë punon me sistemin KOVAKS dhe me UNICEF-in që të sigurohet se vaksinat do të arrijnë shumë shpejtë”, tha Tavilla.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe përsëriti se në planin e imunizimit kundër Kovid-19 ka tri kategori me çka menjëherë do të fillojë me vaksinimin e punonjësve shëndetësorë të cilët janë më të rrezikuar, gjegjësisht ata që punojnë me pacientë me kovid.
“Në grupin e parë janë qytetarë më të moshuar se 70 vjet me rrezik shumë më të madh në kuptim të më shumë komorbiditeteve dhe persona me nevoja të veçanta dhe të institucionalizuar në disa institucione. Në grupin e dytë hyjnë grupi tjetër i punonjësve shëndetësorë me rrezik më të vogël, pacientët me sëmundje kronike dhe të punësuarit në infrastrukturën kritike për shtetin, etj. Kështu që ai plan gjithashtu është komunikuar në disa nivele te ne me përfaqësues të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, të Komitetit për Imunizim, grupi i punës i cili punon në këtë sferë. Ai plan është lartë poshtë i njëjtë me të gjitha strategjitë tjera në vendet tjera”, tha ministri i Shëndetësisë Filipçe i cili mori pjesë në pranim dorëzimin e donacionit nga OBSH-ja.
Të gjitha vaksinat që do t’i sjellim në vend do të jenë të certifikuara dhe të sigurta në mënyrë të duhur, ndërsa në pajtim me planin për distribuim do të bëhet edhe plani për aplikim, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë në komunikim intensiv me kompaninë “Fajzer” sepse në këtë moment është e vetmja kompani që ka marrë lejet e nevojshme për përdorim urgjent të vaksinës së saj nga dy organet më të rëndësishme rregullatore, dhe ato janë Agjencia amerikane për ilaçe (FDI) dhe nga Agjencia evropiane e ilaçeve (EMA)”, shtoi Filipce.
Ai theksoi se tani më janë rezervuar dozat për vendin dhe pritet që sasitë e para të mbërrijnë muajin e ardhshëm.
Në të njëjtën kohë në ditët e fundit kemi marrë informacion nga sistemi KOVAKS se edhe ato vaksina do të mbërrijnë në muajin shkurt. Është e mundur që disa nga vendet me të cilat po bisedojmë dhe ato janë Austria, Bullgaria, Polonia dhe Greqia, në mënyrë më konkrete të ndajnë një sasi prej tyre, por na tregojnë qartë se problemi kryesor dhe pse nuk është bërë deri më tani, si një mekanizëm i shpallur nga ana e Komisionit Evropian në solidaritet jo vetëm me vendin tonë, por edhe me vendet e tjera jo-BE, është në sasinë që e kanë marrë. Pra, dukshëm më e vogël, rreth një e dhjeta e asaj që ishte planifikuar për vendet e tyre”, theksoi Filipçe.
Ai shtoi se sipas planit të kompanisë “Fajzer” dhe me rritjen e tyre, por edhe prodhimin e kompanive të tjera që janë pjesë e sistemit KOVAKS, ai beson se pas shkurtit shpërndarja e vaksinave do të jetë një proces që do të fillojë kudo me dinamikë të konsiderueshme.
Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) dje kumtoi se drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme të KE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Genoveva Luiz Kalavera, në një video konferencë të iniciuar nga Komisioni Evropian tha se pavarësisht nga mungesa serioze e dozave të disponueshme për vendet anëtare, KE-ja mbetet e përkushtuar për të siguruar vaksina për vendet nga rajoni.
Ajo informoi se KE i mbaroi përgatitjet për kahëzimin e 70 milion euro mjete IPA për prokurimin për çka në tre deri katër javë deri tek autoritetet kompetente te BP6 do të dorëzohen marrëveshje- grant për mbulimin e harxhimeve për vaksina, pajisje dhe materiale tjera.
Nga të tre mekanizmat për vaksinimin e 1.2 milionë qytetarëve priten 2.4 milionë doza. Me 60 për qind të mbulimit të popullsisë, duhet të arrihet imuniteti kolektiv i KOVID-19.
Për ilaçin “Ivermektin”, i cili prej ditës së djeshme është i disponueshëm në barnatore, ministri i Shëndetësisë bëri apel që të mos merret vetë, por vetëm me rekomandim dhe recetë të mjekut.
“Është një ilaç që zvogëlon replikimin e virusit dhe nuk suplimon përgjigjen imune të qelizës dhe, praktikisht, ato rezultate janë të dukshme shumë shpejt pas aplikimit”, tha Filipçe.
Ministria e Shëndetësisë dje njoftoi se 718 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë KOVID janë të shtruar në repartet infektive dhe në qendrat kovid në spitalet në të gjithë vendin, së bashku me Shkupin, dhe kishte rreth 400 shtretër spitalor të zbrazët.
Në statistikat ditore dje, 396 raste të reja u regjistruan dhe 442 u shëruan. Kan vdekur 15 pacientë, më i riu në moshën 33 vjeçare nga Gostivari. Numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i epidemisë në vend arriti në 87.986. Janë 16.177 aktivë, nga të cilët 9928 janë në kryeqytet.