Hapja e negociatave aderuese të Maqedonisë të Veriut me BE-në duhet të ndodhë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje ta arrijmë këtë vit. Nuk ka asnjë alternativë tjetër. Të gjitha kushtet janë përmbushur nga Maqedonia e Veriut, deklaroi sot ambasadorja gjermane në vend, Anke Hollshtajn.
Ajo shtoi se si diplomate ajo është jashtëzakonisht optimiste dhe shprehu besimin se qëllimet mund të arrihen nëse punohet mjaftueshëm për t’i arritur ato.
Në javët në vijim, theksoi ambasadorja Hollshtajn, është shumë me rëndës të kemi bashkëpunim mes Maqedonisë të Veriut dhe Bullgarisë në ato zona dhe segmente ku nuk ka dallime në mendime, gjë që do të dëshmojë se ekziston një bashkëpunim i mirë.
“Si dhe më parë, ne ende nuk kemi plan B. Ajo që mbetet është hapja e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut në BE, mbetet vazhdimi i bisedimeve të pranimit në BE”, tha Hollshtajn pasi ia dorëzoi sot ministrit Oliver Spasovski donacionin, të përbërë prej automjeteve dhe pajisjeve të dedikiara për nevojat e policisë kufitare.
Gjatë presidencës tripalëshe me Portugalinë dhe Slloveninë, ambasadorja gjermane njoftoi se ata do të vazhdojnë të punojnë shumë për të arritur hapjen e negociatave aderuese me vendin.
Ajo sqaroi se deri në minutën e fundit të presidencës gjermane me Këshillin e BE-së, ata u përpoqën të arrijnë unitet mes 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por “patën sukses të arrijnë pajtueshmëri me 26”.