Kuvendi sot e filloi debatin për Propozim-ligjin për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila është pika e 14-të e seancës së 29-të. Propozim-ligjin e arsyetoi zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu, i cili tha se me vendimin ligjor është parashikuar regjistrimi të realizohet nga data 1-22 prill të këtij viti, ndërsa me të do të përfshihen edhe personat të cilët punojnë jashtë shtetit.
“Personat të cilët punojnë jashtë shtetit, regjistrimin do ta bëjnë vetë, me aplikacion të veçantë, i cili do të instalohet në faqen e internetit të Entit Shtetëror për Statistikë, nga 1 marsi dhe më 21 prill të vitit 2021”, sqaroi zëvendësministri Nuhiu.
Ai potencoi se me ligjin janë parashikuar 50 rajone për regjistrim dhe secili prej tyre do të ketë komision të veçantë. Në të gjithë procesin do të respektohet përfaqësimi i drejtë në komisione, si dhe gjatë zgjedhjes së regjistruesve.
“Në kapitullin e katërt të ligjit, është parashikuar se aktet të cilat i sjell drejtori i Entit për Statistikë do të kenë efekt juridik nëse ato i pranon edhe zëvendësi i tij. Ashtu, nuk mund të ketë mashtrime në bazë etnike”, theksoi Nuhiu.
Koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tha se për ato i papranueshëm është ligji i tillë dhe se do të votojnë kundër.
“Me ligjin nuk arritëm deri te seanca plenare në mënyrën në të cilën dëshiruam dhe thirrëm. Nga vetë fillimi kërkuam konsensus shtetëror për këtë çështje, ndërsa jo vendim të koalicionit qeveritar të partive nga pushteti për mënyrën, gjegjësisht formën për zbatimin e regjistrimit. Lëshuat shans, nga vetë fillimi të jepni legalitet dhe legjitimitet, gjegjësisht besim të operacionit statistikor- të quajtur regjistrim”, theksoi Micevski.
Ai tha se VMRO-DPMNE-ja ka dashur të marrë pjesë në këtë proces dhe për atë nga grupi i deputetëve kanë paraqitur 26 amendamente thelbësore, të cilat ishin në pajtim me rekomandimet dhe rregulloret e Parlamentit Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Eurostat, por shumica qeveritare nuk i ka pranuar.
Micevski përkujtoi se pushteti nuk e ka pranuar propozimin e opozitës gjatë regjistrimit të shfrytëzohen shenjat e gishtit.
“Regjistrimi duhet të jetë operacion statistikor i cili duhet të japë shifra për popullatën rezidente, ndërsa jo numrin e shtetasve. Nuk është definicioni për vendbanim të përhershëm, të cilin duhet ta ketë çdo ligj për regjstrim. Sipas rregulloreve të BE-së dhe sipas KB-së, për popullatë rezidente konsiderohen ato të cilët kanë jetuar në vendin e tyre të banimit të zakonshëm për një periudhë të vazhdueshme prej së paku 12 muaj para regjistrimit; dhe ato të cilët kanë arritur në vendin e tyre të banimit të zakonshëm gjatë 12 muajve para regjistrimit me qëllim që të mbesin atje së paku një vit”, theksoi koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
Ai tha se kështu siç planifikohet regjistrimi, do të japë rezultate të cilat do të jenën nën pikëpyetje.