Në periudhën që vijon grupi ynë i punës do t’i shqyrtojë komentet, të cilat arritën nga Bullgaria për Planin tonë të veprimit dhe do të ndërtohet pozicion i qartë, deklaroi për MIA-n i dërguari special për Bullgari, Vllado Buçkovski, i cili gjendet për vizitë në Sofje.
Buçkovski dje kishte takim me ministren e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, e cila i dha Plan të Veprimit, i cili fillimisht duhet të shqyrtohet nga autoritetet tona. Ai dhe Zaharieva kanë shkëmbyer ide për vazhdimin e procesit për kthimin e besimit mes të dyja vendeve.
“Roli im si përfaqësues special i Maqedonisë së Veriut del nga përpjekjet e Qeverisë maqedonase që të arrijë zgjidhje në kontestin bilateral me Bullgarinë dhe me këtë të mënjanohen pengesat për fillimin e bisedimeve të vendit tonë me BE-në”, tha Buçkovski për MIA-n.
Shton se në atë kontekst secili komunikim i tij zyrtar në relacion Shkup – Sofje është në funksion të Planit të propozuar të veprimit nga ana jonë i cili përmban hapa konkretë në pjesën për lidhje përmes Korridorit 8, bashkëpunimit në arsim, në energjetikë, kulturë, ekonomi, shoqërinë informatike.
“E gjithë kjo duhet të krijojë besim mes qeverive dhe shteteve, ndërmjet popujve mes shteteve. Pa dallim të intensitetit të udhëtimeve dhe takimeve të mia, është i dukshëm interesi i të dyja palëve që të mos lejohet ngrirje e marrëdhënieve ose komunikim vetëm përmes mediave ose përmes ndërmjetësuesve. Afërsia jonë si dy popuj dhe dy shtete me momente të përbashkëta nga e kaluara dhe pikëpamje të përbashkëta drejtë historisë na shpien të dyja palëve që të ndërmarrim hapa për gjetjen e zgjidhjes, ndërsa takimet e këtilla të punës janë pikërisht hap drejtë zgjidhjes”, theksoi Buçkovski.
MPJ bullgare dje bëri të ditur se Bullgaria propozoi plan veprimi për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim. Ky dokument, i cili ka të bëjë me të gjitha ministritë dikasteriale, pritet të nënshkruhet në takimin e ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar (sipas nenit 12 të Marrëveshjes).
Shefi i Diplomacisë, Bujar Osmani, dje në një intervistë sqaroi se atë që morëm dje si përgjigje nga Bullgaria është në fakt pikëpamja e tyre për Planin tonë të veprimit, gjegjësisht shkëmbimin e ideve në lidhje me atë plan. Në ditët në vijim duhet ta shqyrtojmë me kujdes, të shohim se çfarë mund të realizohet nga ajo, çfarë mund të jetë kontestuese, dhe pastaj do të kenë qëndrim më të qartë. Po punohet për përgjigje ndaj Planit tonë të veprimit, potencoi Osmani në një intervistë për TV Telma.
MPJ jonë në një kumtesë para takimit përkujtoi se gjatë fundit të vitit të kaluar dorëzuam Plan veprimi për implementimin e Marrëveshjes për miqësi të vitit 2017, ku në bisedë me Ministrat e Punëve të Jashtme Osmani dhe Zaharieva ka pasur dakordësim për shkëmbim të vërejtjeve, mendimeve dhe propozimeve adekuate.
“Në këtë drejtim në periudhën e ardhshme do të kemi kontribut konstruktiv nëpërmjet Përfaqësuesit Special, ndërsa të njëjtën e presim edhe nga pala bullgare, si mundësi e vetme deri në gjetjen e zgjidhjes”, njofton Ministria përmes një kumtese.
Konferenca e ardhshme ndërqeveritare duhet të mbahet në Shkup, por siç tha Osmani, pasi të dyja palët do të vlerësojnë se ka material të mjaftueshëm që të mundet të mblidhet dhe të miratojë dokumente, të cilat pastaj do të miratohen në Qeveri.