Pastrimi i gjyqësorit do të jetë një nga sfidat kryesore të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2021. Shkarkimi i dy gjykatësve në fund të dhjetorit, sipas ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, shënon edhe fillimin e këtij procesi që ishte një nga premtimet kryesore të partive që përbëjnë qeverinë aktuale, e cila edhe mori pushtetin pikërisht me zotimet për kthimin e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë.
Dy gjykatës janë shkarkuar nga detyra nga Këshilli Gjyqësor për joefikasitet në punë dhe për shkelje ligjore.
“Të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që kanë punuar në kundërshtim me ligjin, kanë qenë joefikasë në punën e tyre apo qëllimisht i kanë zvarritur lëndët, nuk do të kenë vendin në organet e drejtësisë. Vëmendja jonë do të përqendrohet në rastet e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Me shkarkimin e dy gjykatësve ka nisur procesit i filtrimit të gjyqësorit. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kthejnë besimin e humbur të qytetarëve në organet e drejtësisë”, ka deklaruar Mariçiq.
Edhe partia shqiptare që është pjesë e qeverisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila pastrimin egjyqësorit e ka pikë kryesore të programit politik, thotë se mbetet e përkushtuar për arritjen e këtij synimi si mundësi e vetme për drejtësi në vend.
“Vetting-u paraqet shtyllën themelore programore të BDI-së për të arritur deri te drejtësia joselektive, sundimi i mirëfilltë i ligjit, transparenca, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rikthimi i besimit të qytetarit në integritetin e institucioneve”, kishte deklaruar Artan Grubi nga BDI-ja, para nisjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 15 korrik, 2020.