Këto ditë gradualisht po ulet numri i rasteve të reja me Kovid-19, edhe pse numri i testimeve të bëra është më i vogël në raport me ditët e kaluara. Pardje prej 378 testime, u regjistruan 46 raste të reja, ndërsa dje nga 1525 teste – 237 raste të reja. Sipas raportit të fundit të Institutit për shëndet publik, numri i pacientëve të shëruar është pothuajse dyfish më i madh se ai i rasteve të reja. Për momentin në vend janë regjistruar 18.565 raste aktive.
Tetë pacientë të moshës prej 61 deri 79 vjeç pardje e humbën betejën me Kovid-19, ndërsa me atë numri i të vdekurve në vendin tonë prej fillimit të epidemisë tejkaloi numrin 2500.
Gjithsej 911 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për Kovid-19 po mjekohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet e vendit dhe ka rreth 400 shtretër të lirë spitalorë në kovid-qendra. Në repartet infektive në kryeqytet po mjekohen gjithsej 374 persona të dyshuar dhe të konfirmuar me Kovid-19. Një pjesë e madhe e tyre janë në mbështetje oksigjeni.
Ministria e Shëndetësisë dje kumtoi se të gjitha repartet infektive janë të pajisura me oksigjen dhe mund të kujdesen për pacientë të cilët kanë nevojë për të.
Kryeministri Zoran Zaev, në intervistë për MIA-n paralajmëroi se sasitë e para të vaksinave nga kompania “Fajzer” në vendin tonë do të arrijnë në shkurt, ndërsa në pajtim me planin për distribuim, të tjerat priten në muajt e parë të vitit 2021.