“Kjo është një mundësi shumë e madhe që mund ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët me qëllim që të përmirësojmë situatën në aspektin ekologjik të Komunës Dibër. Qytetarët faktikisht mund të regjistrojnë të gjitha aktivitetet jo korrekte, të cilët ndotin mjedisin jetësor”, tregon Marku, ndërsa shton se deri tani – shumë qytetarë kanë paraqitur problemet të ndryshme
Vjollca SADIKU
Sektori qytetar në Komunën e Dibrës po jep një kontribut shumë të madh në aspektin e rritjes së vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit jetësor, por edhe ndikim ndaj subjekteve juridike që të jenë më aktive në sferën e ekologjisë. Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komunitetit- CSCD në Dibër, në kuadër të projektit “Së bashku për një Dibër të pastër”, që përkrahet nga “Civica Mobilitas”, nëpërmjet instalimit të aplikimit Smart nga GOOGLE STORE për Android, mundëson denoncimin të problemeve të mjedisit jetësor në Dibër dhe rajon. Kjo mundësi ka filluar të shfrytëzohet nga shumë qytetarë, të cilët tani nëpërmjet telefonit të tyre paraqesin problemet, të cilët i verifikojnë në mjedisin e tyre. Paraprakisht, rreth këtij projekti pati edhe një debat publik për mënyrën e përdorimit të aplikimit.
Koordinatori i projektit të shoqatës qytetare në fjalë, Shup Marku, na deklaroi se problemet mund të paraqiten me emër dhe mbiemër, por edhe si anonim. Ai shtoi se administratori i aplikacionit do ti aprovojë ankesat pasi të verifikojë se problemi është real. “Kjo është një mundësi shumë e madhe që mund ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët me qëllim që të përmirësojmë situatën në aspektin ekologjik të Komunës Dibër. Qytetarët faktikisht mund të regjistrojnë të gjitha aktivitetet jo korrekte, të cilët ndotin mjedisin jetësor”, tregon Marku, ndërsa shton se deri tani – shumë qytetarë kanë paraqitur problemet të ndryshme. Ky projekt pritet që dukshëm të ndikojë në përmirësimin të vetëdijes të qytetarëve kur është në pyetje mbrojtja e mjedisit jetësor, thotë Marku. Po ashtu, sipas tij, qytetarët përveç përcaktimin e lokacionit ku ka probleme me ndotjen e mjedisit jetësor, mund të dërgojnë edhe foto dhe video-lajme.
“Pjesa më e madhe e paraqitjes së problemeve deri tani kanë të bëjnë me hedhjen e mbeturinave jo në kontejnerë, por jashtë tyre. Po ashtu ka denoncime të qytetarëve për deponi të egra në disa pjesë të qytetit. Meqë jemi në situatë të pandemisë, qytetarët deri tani kanë denoncuar raste të hedhjes të maskave nëpër rrugët e qytetit. Domethënë bëhet fjalë kryesisht për problemet në mjedisin jetësor. Efektet e deritashme janë shumë pozitive kur bëhet fjalë për këtë projekt”, thotë Shuip Marku. Është interesant të theksohet se menjëherë pas denoncimit të rasteve, ndërmarrja komunale publike “Standardi” menjëherë reagon dhe pastron lokacionet, të cilët janë të denoncuar nga qytetarët. Në përgjithësi, ky projekt është përshëndetur nga popullata dhe besohet se në muajt në vijim, do të rritet numri i personave dibran që do të kyçen në këtë aktivitet. Në ndërkohë, këtë projekt e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e ndërmarrjes komunale dhe pushtetit vendor.
Ndryshe, deri tani janë realizuar shumë projekte në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor. Sektori qytetar ka dhënë një kontribut të respektuar në këtë drejtim, por prezent është edhe fakti se mes qytetarëve – ka edhe të tillë që nuk janë në nivelin e duhur të vetëdijes për të mbrojtur mjedisin jetësor. Pikërisht ky projekt i cili është duke u realizuar tashmë, është efektiv në drejtim të kontributit të qytetarëve dhe institucioneve lokale për të përmirësuar situatën me higjienën lokale në Dibër. (koha.mk)