Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski si mysafir në “Studio 10” të TV24 theksoi se nga shtatori deri më tani janë ndërmarrë disa aksione edhe janë ndërprerë dy kanale ndërkombëtare për kontrabandim të marijuanës. Për vjedhjen e marijuanës nga depoja në Josifovë nga e cila më pas u gjetën vetëm 300 kilogramë në Haraçinë, tha se ekzistojnë indikacione se droga është dërguar jashtë vendit dhe është shitur.
“Nga shtatori deri më sot kemi efikasitet të madh. Kishim sekuestrim të marijuanës në Josifovë, në Krushevë. Në 20 ditët e fundit i kemi ndërprerë dy kanale ndërkombëtare për kontrabandim. Kemi sekuestruar mbi 550 kilogram marijuanë dhe 100 kilogram hashash. Në Hasanbeg kemi sekuestruar katër kilogramë e gjysmë heroinë dhe një kilogram kokainë. Ne do të vazhdojmë me këtë luftë serioze joselektive. Japim të dhëna se sa drogë është sekuestruar. Nga droga e vjedhur në Josifovë, i kemi gjetur 300 kilogramë në Haraçinë, por pjesa tjeter nuk është gjetur, hetimi është duke vazhduar. Ka indikacione se droga është dërguar jashtë vendit. Kemi prova serioze për drogën në Josifovë, ka gjashtë padi penale për atë ngjarje. Në këtë vend, duhet të bëhet e ditur se secili duhet të përgjigjet, nuk ka lidhje as partiake as familjare”, theksoi Spasovski.
Ai informoi se në vitin 2021 në të gjitha autostradat, rrugët rajonale do të ketë kamera dhe se secili do të duhet të paguajë gjobë për shkelje të bërë në trafik.
Kishim vetëm pesë mjete për testimin e alkoolit në të gjithë vendin dhe tetë aparate për matje të shpejtësisë (radarë). Duhej të furnizoheshim me të reja. Për kamerat, të cilat janë vendosur tani në vend, ato janë në funksion të sigurisë së shtetit. Në vitin 2021, do të realizojmë kamera për shkelje në trafik, në territorin e të gjithë vendit, zgjidhje moderne e sofistikuar. Do të ketë kamera në të gjitha autostradat, rrugët rajonale. Ata u përpoqën shumë të lajmërohet për heqjen e gjobave, por tek unë kjo nuk mund të funksionojë. Unë mendoj se nëse jemi përgjegjës, nuk duhet ta lejojmë atë. Zoran Zaev, Venko Filipçe, Lupço Nikollovski, por edhe babai im paguan gjobë kur bënë shkelje të trafikut.”Unë i inkurajoj të gjithë policët të sanksionojnë çdo shkelje”, tha Ministri Spasovski.
Kreu i MPB-së thekson se siguria në trafik është shumë e rëndësishme dhe se ne duhet t’i ndryshojmë zakonet tona dhe ta rrisim ndërgjegjësimin publik.
“Fëmijët duhet të mësohen që në moshë të vogël se si të sillen në trafik. Ne e shohim këtë proces së bashku me juve mediave, për promovimin e asaj që e bëjmë. Ne punojmë në mënyrë represive, por edhe parandaluese. Në nëntor të vitit të kaluar, 714 aksidente trafiku, ndërsa e njëjta periudhë e këtij viti 564, ka rënie prej 20 për qind. Njëmbëdhjetë njerëz e humbën jetën në atë periudhë në vitin 2019, ndërsa këtë vit në nëntor shtatë, ka rënie prej 36 për qind. Për këmbësorët, nëse krahasojmë uljen, është 75 për qind më pak, ata që vdiqën në aksidente trafiku. Ne jemi duke bërë kontroll serioz të transportit publik. Kemi vazhdimësi. Ne të gjithë e duam policinë në rrugë”, përfundoi Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në “Studio 10”.