Sapo vaksina kundër KOVID të jetë në dispozicion në vend, të parët do ta pranojnë mjekët, personeli mjekësor dhe të gjithë të tjerët që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër pandemisë, pastaj të sëmurit kronik, të moshuarit, të punësuarit në kopshte dhe të tjerët në listën prioritare, njoftuan sot zëdhënësit e Qeverisë, Muhamed Hoxha dhe Dushko Arsovski.
Pastaj, siç theksuan Arsovski dhe Hoxha, do të vaksinohen politikanët.
“Siç është njoftuar nga kryeministri Zoran Zaev, ai do të japë një shembull personal në mënyrë që të japë mbështetje në përpjekjet për të luftuar KOVID-19”, thanë zëdhënësit.
Ata më parë kumtuan se po zhvillohen negociata për furnizimin direkt të vaksinave kundër KOVID-19.
“Nuk presim vetëm donacione, përdoren të gjitha instrumentet dhe kanë filluar me kohë të gjitha procedurat. Tashmë janë siguruar 833.000 vaksina për rreth 400.000 qytetarë dhe duhet të arrijnë në muajt e parë të viti 2021”, tha Arsovski.
Përveç mekanizmit Kovaks, theksoi ai, po zhvillohen negociata për furnizimin e drejtpërdrejtë nga kompanitë e vaksinave dhe parashikohet edhe një mekanizëm i tretë përmes BE-së, me të cilin duhet të furnizohen 200 milionë vaksina për vendet-anëtare dhe 100 milionë doza shtesë për vendet evropiane jashtë Unionit.