Ato prindër vetushqyes që nuk arritën të aplikojnë për mbështetje prej 6.000 denarë, Qeveria do të mendojë t’i përfshijë në periudhën në vijim, me ndonjë masë të re, tha sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska.
Sipas Shahpaskës, nëse vazhdon korona kriza, deri për Vitin e Ri pritet në sistemin për mbrojtje sociale të futen edhe 6.000 familje. Në sistem për momentin ka 32.500 familje që do të thotë se nga shkurti i këtij viti kur ishin 27.000, deri tani kanë hyrë 5.500 të reja.
“Ne nuk vendosim limit, nuk ka kufizime, sistemi do të hapet dhe t’i rekrutojë të gjithë qytetarët të cilët me të vërtetë kanë nevojë të futen si shfrytëzues të ndihmës së garantuar minimale”, theksoi minitrja pas ngjarjes për ndikim ekonomik të KOVID-19.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Shahpaska kumtoi se gjithsej 5.700 prindër vetushqyes duhet ta shfrytëzojnë mbështetjen prej 6.000 denarë, të projektuar në pakon e katërt të masave antikrizë.
“Rreth 750 prindër vetushqyes shfrytëzojnë shtesa arsimore fëmijërore ose ndihmë minimale të garantuar, por gjithsej 5.700 do të duhet ta shfrytëzojnë masën. Afati për aplikim mbaroi, 10 ditë kishte mundësi të dorëzohen kërkesat. Për ato që nuk kanë arritur të aplikojnë, Qeveria do të mendojë në periudhën në vijim të përfshihen me çdo masë të re”, tha Shahpaska.
Sipas saj, ruajtja e të gjitha vendeve të punës dhe mbrojtja e kategorive të rrezikuara të qytetarëve ishte e rëndësishme edhe gjatë pandemisë – KOVID.
Bllagica Petreski nga “Fajnen sting” përmendi se kriza i nxori në pah të gjitha dobësitë në sistem, por tregoi se është i domosdoshëm ristrukturimi i ekonomisë së Maqedonisë.
“Mësuam se reformat nuk duhet të jenë të shpeshta dhe të shpejta, por ndoshta pak më të rralla por themelore. Këtë e kemi shans edhe për ristrukturimin ekonomik, të definojmë se cili është motori për rritje ekonomike. Efikasiteti i administratës publike mbetet një nga pikat më të dhimbshme në të cilën duhet të fokusohemi”, theksoi Petreski.