Pas bllokadës së Republikës Çeke dhe Sllovakisë dje, konkluzionet e diskutueshme për zgjerimin nuk u miratuan nga Këshilli i BE-së, tema i lihet Portugalisë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Diplomatët në Bruksel nuk e mbajnë mend herën e fundit kur viti ka mbaruar pa konkluzione për zgjerimin e BE-së, por pas takimit të sotëm të ambasadorëve është e sigurt që këtë herë ato nuk do të miratohen, pasi Republika Çeke dhe Sllovakia vlerësuan se teksti shkon shumë larg në ndërhyrjet në kontestet bilaterale.
Pas muajsh të tërë diskutimesh të nxehta me Bullgarinë për futjen e një paragrafi që thoshte se Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë duhet t’i jepnin fund kërkesave për një “keqinterpretim të historisë”, presidenca gjermane bëri lëshim në fillim të kësaj jave dhe ra dakord të futet fjalia.
Edhe pse deri në momentin e fundit ambasadorët menduan se puna ka mbaruar, krerët e diplomacisë çeke dhe sllovake folën dje dhe kërkuan të bllokohen këto përfundime derisa çështja të debatohet në nivel ministror.
Bratisllava dhe Praga akuzuan se kjo fjali është e njëjtë me “falsifikimin e historisë” dhe kujtuan se nuk i takon BE-së të gjykojë se si një vend identifikohet, as çfarë gjuhe flet, dhe paralajmëruan që një fjali e tillë paraqet precedent të rrezikshëm për procesin e mëtejshëm të zgjerimit, si rezultat i së cilës ata nuk janë në gjendje të pajtohen me këto përfundime.
Sipas diplomatëve në Bruksel, kërkesa e Republikës Çeke dhe Sllovakisë nuk u prit me pakënaqësi dhe shprehet mirëkuptim për pozicionin e tyre, përveç në Sofje.
Takimi tjetër në të cilin do të diskutohet për zgjerimin do të jetë vitin e ardhshëm, nën presidencën portugeze, por tani për tani nuk ka asnjë tregues se në cilën datë do të ndodhë saktësisht. Pavarësisht nga fakti që Portugalia është gjeografikisht e largët dhe zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është një nga përparësitë e saj, diplomatët thonë se Lisbona tregon gjithashtu mirëkuptim për situatën.
Atmosfera në qarqet diplomatike në Bruksel është në favor të Maqedonisë së Veriut, ndërsa veçanërisht theksohet fakti që askush nga udhëheqësia e shtetit të Maqedonisë së Veriut nuk ka bërë deklarata provokuese, ndërsa vendi vazhdimisht tregon gatishmëri për dialog dhe kompromis, ndryshe nga Bullgaria, deklaratat provokuese të së cilës për historinë, gjuhën dhe vetëvendosjen nuk kaluan pa u vërejtur.
Diplomatët paralajmërojnë gjithashtu se Bullgaria duhet të sillet “më me kujdes” sepse vetë ajo kërkon të bashkohet me zonën Shengen, për të cilën mund kushtëzohet me sjellje “konstruktive”.
Sjellja e Bullgarisë i ka tronditur partnerët evropianë dhe amerikanë, shpresa në Bruksel është se tensionet në Sofje do të qetësohen vitin e ardhshëm