Kryeministri Zoran Zaev sot nga Resnja porositi se bisedimet me Bullgarinë vazhdojnë, por potencoi se për identitetin dhe gjuha maqedonase as nuk negociohet, as nuk bisedohet.
Ai theksoi se edhe pse shija e hidhur nga bllokada e dhënë më 9 dhjetor është e pranishme tek të gjithë ne dhe zhgënjimi është i madh, megjithatë rrugë tjetër nuk ka dhe kjo është rruga nëpër të cilën duhet të vazhdojmë dhe vazhduam menjëherë me bisedime. Zaev përkujtoi se më 10 dhjetor gjatë vizitës së përfaqësuesit të posaçëm të Qeverisë, Vllado Buçkovski në Bullgari, së bashku me sekretarin shtetëror, Zoran Popov, autoriteteve të Sofjes u janë dorëzuar ide të reja, të cilat duhet t’i shqyrtojnë dhe pritet përgjigje kthyese prej tyre.
“Më vjen mirë që më shpesh konfirmojnë edhe nga pala bullgare se ata e pranojnë realitetin për ekzistimin e popullit dhe gjuhës maqedonase, për arsye se ky është minimumi evropian, minimumi civilizues. Detyrë e jona është të shkojmë dhe të hapërojmë përpara. Besoj se sa më shpejtë të jetë e mundur do të krijohen kushtet për atë. Ne nuk heqim dorë, do të vazhdojmë të punojmë. Vjen periudha e festave dhe gjatë festave sipas të gjitha gjasave do të pakësohen aktivitetet, por pas festave sërish do të punojmë”, deklaroi kryeministri Zaev.
Duke i komentuar reagimet e djeshme nga Sllovakia dhe nga Çekia, Zaev theksoi se i vjen mirë që akoma ka “evropianizëm në BE”.
“Këtë e them me pak hidhërim, sepse nëse dikush ka merituar të marrë mbështetje për hapin e ardhshëm në rrugën drejt BE-së, ajo është Republika e Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas dhe të gjithë qytetarët tanë të cilët jetojnë në vendin tonë. BE-ja nuk guxon t’i humbë vlerat dhe parimet evropiane. Në atë frymë, shpresoj se Evropa do të vazhdojë ta dërgojë sinjalin evropian drejt nesh, vendeve kandidate për anëtarësim në BE, sepse nuk kemi alternativë tjetër, përkatësisht siç ka thënë në të kaluarën – nuk do ta shuajë dritën që na udhëheqë në errësirë, që të mos humbim në errësirë, sepse ai udhërrëfyes është motivimi ynë për reformat dhe që të jemi qytetarë më të mirë, ta evropianizojmë shtetin, ta rregullojmë sistemin e drejtësisë, të kemi fuqi dhe energji të ndërtojmë objekte për fëmijët tanë, ta modernizojmë shëndetësinë dhe akoma më tepër ta përmirësojmë infrastrukturën”, porositi Zaev.
Ai deklaroi se çdo ditë po punohet në mënjanimin e urrejtjes, duke cekur se dëshiron të dërgojë porosi drejt të gjithëve se bullgarët janë fqinjët tanë, miqtë tanë.
“Unë shpesh i kam quajtur bullgarët vëllezër, sepse në vendin tonë jemi popull dominues të religjionit ortodoks, ndërsa në Bullgari gjithashtu. I kemi bukuritë e dallimeve tona, edhe në baza etnike edhe në ato religjioze dhe kjo është fill serioz që me të vërtetë na bën miq të mëdhenj dhe hapë mundësi serioze për bashkëpunim. Historinë duhet t’ua lëmë historianëve, sepse ekzistojnë realisht fakte famëkeqe që duhet t’i shkruajnë në ato procesverbale dhe atje ku është multiperspektiviteti i historisë ta lënë”, tha kryeministri.
Zaev porositi se ai dhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov duhet të kenë parasysh se çka bëjnë me historinë që e shkruajnë tani.
“Çka u lëmë fëmijëve dhe gjeneratave të ardhshme, të cilat tani presin nga ne. A do t’u lëmë amanet të miqësisë, të vëllazërisë, të bashkësisë, të vlerave evropiane, të ndihmës së ndërsjelltë apo do t’i ndajmë dhe përçajmë sërish, si në kohën e perdes së hekurt”, theksoi Zaev.