Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska sot mori pjesë në një ngjarje onlajn si pjesë e konferencës përfundimtare në kuadër të projektit “Orientimi seksual dhe identiteti gjinor (OSIGJ) – Mbrojtja nga Diskriminimi”, në organizim të Institutit për të drejta të njeriut.
Shahpaska, siç kumtoi MPPS, e potencoi rëndësinë e miratimit të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, i cili paraqet zgjidhje ligjore për të cilën votuan së bashku edhe pushteti edhe opozita, që është një sinjal i vërtetë se shoqëria jonë po shkon në drejtim të duhur.
“Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi në bazat diskriminuese i përfshin edhe orientimin seksual edhe identitetin gjinor. Për ne, të gjithë qytetarët janë të njëjtë dhe secili ka të drejtë të vendosë se si ndjehet dhe duhet të respektohet sepse është i ndryshëm. Bukurinë e shoqërisë e bëjnë dallimet”, tha ministrja Shahpaska.
Ajo njëherit foli edhe për aktivitetet dhe politikat që po realizohen për momentin, siç është Plani i veprimit për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTI. Ajo për të cilën duhet të punohet në periudhën e ardhshme është Vlerësimi i strategjisë së barazisë dhe mos-diskriminimit i cili do të jetë baza për krijimin e një strategjie të re. Krijimi i linjës SOS për komunitetin LGBT dhe qendra e parë për njerëzit nga komuniteti LGBT janë pjesë e projekteve që janë realizuar.
Shahpaska e theksoi suksesin e vendit tonë në hartën Reinbow për vitin 2020, një hartë që i rendit vendet për sa i përket përparimit në respektimin e komunitetit LGBT, ku jemi renditur në vendin e 33-të, përkatësisht po shënojmë kërcim prej 12 pozicioneve krahasuar me vitin e kaluar.
“Kjo do të thotë që vendi ynë po ndërmerr hapa seriozë në zbatimin e të drejtave të njeriut si një nga kushtet për t’u bërë anëtare e barabartë e familjes së madhe evropiane”, përfundoi Shahpaska.