Prej nesër hyn në fuqi pakoja e re e masave restriktive që i miratoi Qeveria me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive. Pakoja e re e masave, e cila vlen deri më 21 janar, ka për synim të shmangë rritjen e numrit të të sëmurëve nga Kovid-19 në periudhën e ardhshme të festave, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Me masat e reja është parashikuar riorganizimi i orarit të punës në objektet hotelierike dhe prej nesër ato do të mbyllen në orën 18, në vend se në orën 21 siç ishte deri më tani. Në fuqi mbetet ndalesa për tubime në vende publike dhe apelohet Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale ta përforcojnë mbikëqyrjen për respektimin dhe zbatimin e kësaj mase.
Ndalohet grupimi në sheshe për pritjen dhe festimin e Vitit të Ri, si dhe çdo lloj tubimi në periudhën e festave, ndërsa hotelet do të duhet t’i mbyllin restorantet e tyre pas orës 21. Ndalesa për tubime në hapësira të hapura dhe numër i kufizuar i vizitorëve në hapësirë të mbyllur me mbajtje të detyrueshme të maskës do të vlejë edhe për festimin e festave fetare të cilat vijojnë, qëndron në kumtesë.
“Apelojmë dhe rekomandojmë të mos ketë tubime në shtëpi për festa. Të festojmë me përgjegjësi për të gjithë ne”, porositi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.