Deputetët me 61 vota “pro”, pa asnjë kundër dhe pa të abstenuar në seancën e sotme i zgjodhën Ixhet Memetin dhe Lupço Ivanovskin anëtarë të Këshillit të prokurorëve publikë.
Përveç avokat populli, Ixhet Memeti është edhe ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-gjykatës kushtetues, këshilltar shtetëror në Qeveri, si edhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Avokati Lupço Ivanovski ka qenë zëvendës i prokurorit publik komunal në Shkup, ndërsa ka qenë edhe zëvendës i avokatit të popullit. Nga viti 2006 deri më sot punon si avokat.
Këshilli i prokurorëve publikë është organ i pavarur i cili e siguron dhe garanton pavarësinë e prokurorëve publikë në kryerjen e funksionit të tyre. Këshilli e ka cilësinë e personit juridik dhe përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve katër anëtarë të Këshillit i zgjedhë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, avokatë dhe juristë të tjerë të shquar, prej të cilëve dy janë pjesëtarë të bashkësive që nuk janë shumicë në shtet.
Mandati i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit zgjat katër vjet me të drejtë të edhe një zgjedhje.