Në periudhën nga 18 dhjetori deri më 20 janar në mesnatë, objektet gastronomike do të punojnë deri në orën 6 të mbrëmjes, në vend se si deri më tani në orën 21:00, ndalesa për organizimin e festimeve të Vitit të Ri dhe para Vitit të Ri në hapësira të hapura dhe të mbyllura, rekomandim për komunitetet fetare që të mos thërrasin tubime masive për festat e ardhshme fetare, si dhe rekomandim për komunat dhe organizatat e punës që të mos organizojnë festime. Kjo është parashikuar me pakon e re të masave të miratuara nga Qeveria me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive, me qëllim të shmangies së rritjes së numrit të pacientëve me Kovid-19 gjatë festave.
Rekomandohet të mos ketë grupime të qytetarëve nëpër shtëpi në festa familjare, festa dhe tubime të tjera në grupe, ndalohet grupimi në hapësira publike të më shumë se katër personave, ndalohet grupimi në parqe dhe vende të tjera publike i më shumë se katër personave dhe nëse nuk kanë nevojë qytetarët të mos dalin nga shtëpitë e tyre pas orës 18:00.
Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dje në një konferencë për shtyp promovuan fushatën “Festojmë me përgjegjësi” për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar masat në pritje të festave.
“Të përballur me sfide të re në betejën me Kovid-19. Të përballur me zgjedhjen për të vazhduar me politikat parandaluese dhe me hapa për dalje nga kriza tani që vaksina është një hap më afër shpërndarjes së saj ose të hyjmë në rrezik për festimin e papërgjegjshëm të festave të Vitit të Ri, të cilat janë para nesh, Qeveria vendosi t’i pranojë rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për një pako të re të masave kufizuese për periudhën nga 18 dhjetori deri më 20 janar në mesnatë, në mënyrë që të shmanget rritja e numrit të pacientëve me Kovid-19 gjatë festave.Të durojmë edhe pak me kufizime të tilla dhe të mos lejojmë që situata të përshkallëzohet me festime. Masa quhet “Festoni me përgjegjësi!”, ndërsa qëllimi është mbrojtja nga Kovid-19 në prag të vaksinimit”, nënvizoi Zaev.
Ai theksoi se do ta marrë vaksinën për kovid me qëllim që përmes shembullit personal të japë mbështetje në përpjekjet për asgjësimin e Kovid-19.
“Sapo të jetë e kapshme vaksina në vend, të parët do ta marrin mjekët, personeli mjekësor dhe gjithë të tjerët në linjën e parë të luftës me pandeminë, e më pas të sëmurët kronikë, qytetarët më të rritur, të punësuarit në kopshte dhe të tjerët në listën prioritare të konstatuar nga autoritetet shëndetësore. Më pas, si edhe shumë qytetarë do të vaksinohem edhe unë, sepse me shembull personal dëshiroj t’i mbështes përpjekjet për asgjësimin e Kovid-19”, tha Zaev.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën për shtyp tha se gjendja me koronën është e qëndrueshme, por edhe më tutje është shumë kritike duke pasur parasysh numrin e të sëmurëve dhe të hospitalizuarve.
“Shtretër të lirë ka në vazhdimësi, ndërsa faktori i shpërndarjes është nën një pas një periudhe të caktuar. Por, kjo nuk duhet të na relaksojë dhe nuk guxojmë të lejojmë që një qasje e ndryshme të shkaktojë përkeqësim të situatës.
Kryetari i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhovski tha se nuk mund të ndalohen festimet, por se festimi duhet të jetë me përgjegjësi, pa grupime të mëdha dhe me njerëz të cilët në periudhën e kaluar i kanë respektuar masat.
Lidhur me vaksinat, Filipçe tha se do të jenë falas për të gjithë qytetarët, ndërsa prioritet do të kenë punonjësit shëndetësorë, qytetarët mbi 60 vjeç dhe pacientët me sëmundje kronike kardiovaskulare dhe të mushkërive.
“U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave të shumta lidhur me vaksinat. vaksinat janë të sigurta, të testuara, e kanë kaluar fazën e zakonshme dhe të zhvillimit, ato janë praktikisht platformat e njejta në të cilat zhvillohen vaksinat për të gjitha sëmundjet e tjera dhe gjithsesi leja administrative nënkupton kontroll të shumë proceseve në pjesën e prodhimit dhe gjithsesi studimeve klinike. Qëllimi primar është mbrojtja e popullatës dhe para së gjithash ulja e epilogut me vdekje nga Kovid-19”, shtoi FIlipçe dhe shtoi se tani për tani nuk rekomandohet vaksinimi i fëmijëve dhe njerëzve të cilët kanë kaluar kovidin dhe kanë antitrupa.
Numri i rasteve të reja me Kovid-19 në vend këto ditë po shënon rënie të ulët. Sipas raportit të djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për 24 orët e kaluara, u regjistruan 881 raste të reja me Kovid-19, 22 pacientë vdiqën dhe 806 të tjerë u shëruan.
Repartet infektive në spitalet në të gjithë vendin trajtojnë 1302 raste pozitive dhe të dyshimtë ndaj koronavirusit dhe ka rreth 190 shtretër të lirë në qendrat kovid.
Numri i përgjithshëm i kovid të diagnostikuarve në vend që nga fillimi i epidemisë është 74732, janë shëruar 50852, kanë vdekur 2169, ndërsa aktualisht 21711 janë aktivë