Gatishmëria për vaksinim kundër KOVID-19 rritet me besimin te institucionet publike. Teoritë konspirative rreth Kovid janë më të popullarizuara në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga vendet në rajon, mbështetja për anëtarësimin në BE dhe NATO është më e forta në Maqedoninë e Veriut.
Kjo qëndron, ndër të tjera, në Raportin e ri të GLOBSEK trende 2020, i cili i mbulon rezultatet e hulumtimit të opinionit publik të kryer me intervista telefonike në periudhën shtator/tetor në një ekzemplar prej të paktën 1000 të anketuarve nga nëntë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia dhe Sllovakia.
Sipas raportit, më shumë se 1/3 e të anketuarve besojnë në teori konspirative në lidhje me KOVID-19. Sipas këtyre rezultateve, gatishmëria për vaksinim kundër KOVID-19 në rajon është vetëm 37 për qind në mesin e njerëzve. Përqindja, megjithatë, rritet në 53 për qind midis atyre që kanë besim në institucionet shtetërore.
“Këto rezultate tregojnë se sa instrumentale është qeverisja e mirë dhe besimi te institucionet publike dhe shtetërore, veçanërisht në kohë krizash. Institucionet publike duhet t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për komunikim strategjik dhe të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta rritur menjëherë besimin shoqëror”, potencoi Miroslava Saviris, një hulumtuese nga Instituti GLOBSEK dhe një nga autoret e raportit.
“Narrativat që i demonizojnë “të tjerët” dhe i minojnë vlerat thelbësore demokratike dhe Partneritetin tonë Euro-Atlantik janë shfrytëzuar në masë të madhe nga aktorët politikë në rajon. Supozohet se një gamë e gjerë e grupeve të ndryshme paraqet një kërcënim për vlerat dhe identitetin e të anketuarve, grupe që variojnë nga liberalët, emigrantët, komuniteti LGBT + bashkësia deri në SHBA. Një “tjetërsim” dhe polarizim i tillë mund të zhvillohet në luftëra kulturore të brendshme”, shtoi Katerina Klingova, hulumtuese nga Instituti GLOBSEK dhe një tjetër nga autorët e raportit.
Lidhur me projeksionin e imazhit rus, hulumtimi tregon se rajoni është gjithashtu i prirur drejt ndjenjave pro-ruse dhe kështu i beson narrativave që Rusia përhap kryesisht. Për shembull, pothuajse 4 në 10 të anketuar në vendet anëtare të NATO-s besojnë se Aleanca po e provokon Rusinë duke vendosur baza ushtarake pranë kufijve të Rusisë, narrativ i përhapur shpesh nga mediat onljan pro-Kremlinit. “Ndjenjat proruse janë veçanërisht të forta në Bullgari, Sllovaki, Serbi dhe Mal të Zi. Këtu, ndjenja e Rusisë si një “Vëlla i fuqishëm slloven” jehon midis ¾ të anketuarve”, thotë Daniel Milo, këshilltar i lartë në Institutin GLOBSEK.
Si rezultat i kësaj, theksohet, perceptimi i Rusisë si kërcënim për sigurinë e këtyre vendeve është në nivel të ulët. Në fakt, ndërgjegjësimi, perceptimi i Rusisë dhe Kinës si kërcënim është ulur që nga viti 2019.
“Shumica e njerëzve në këtë rajon i konsiderojnë Rusinë dhe Kinën si një kërcënim për sigurinë e vendeve të tyre. Shumica e njerëzve thjesht thonë se vendi i tyre është shumë i vogël për të paraqitur shqetësim për fuqitë e mëdha, që paraqet qasje të rrezikshme që bie ndesh me raportet e inteligjencës të shumë vendeve në rajon”, shpjegon Dominika Hajdu, hulumtuese e GLOBSEK nga ekipi i autorëve.
Sipas raportit, mbështetja për anëtarësimin në BE dhe NATO në Maqedoninë e Veriut është më e forta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, 31 për qind dhe 28 për qind e të anketuarve përkatësisht e shohin BE-në dhe SHBA-në si partnerin e tyre strategjik.
Shumë simpati dhe narrativa pro-ruse rezonojnë midis maqedonasve. 48 për qind, në vendin e dytë në rajon, besojnë se vendet perëndimore shpesh e akuzojnë padrejtësisht Rusinë për sjellje të paligjshme ose mashtruese. Përkundër interesit në rritje të lojtarëve globalë në vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht 66 për qind dhe 62 për qind e maqedonasve, nuk e shohin Rusinë dhe Kinën si kërcënim për vendin e tyre. Vetëm 54 për qind e maqedonasve, më së paku në rajon, besojnë se të kesh një sistem politik demokratik me zgjedhje të rregullta dhe një sistem shumë partiak është mirë për vendin e tyre”, theksoi Ilija Xhugumanov nga presidenca e Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë së Veriut, drejtori i projektit për Maqedoninë e Veriut.