Si pjesë e projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) ka filluar një seri punëtorish onlajn që synojnë përforcimin e kompetencave të praktikuesve në sistemin e arsimit parashkollor.
“Qëllimi i këtyre trajnimeve që në këtë periudhë për shkak të rekomandimeve dhe protokolleve për mbrojtje nga Kovid-19 mbahen në mënyrë elektronike, është transferimi i njohurive dhe aftësive të reja te edukatorët e zgjedhur nga institucionet parashkollore në të gjithë vendin të cilët do të transferojnë më tej këto njohuri të fituara nga kolegët e tyre që do të përforcojnë zhvillimin e tyre profesional dhe kështu do të mundësojnë përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së arsimit parashkollor në vend”, thotë Elizabeta Kunovska nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, menaxhere e Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale.
Punëtoritë janë hartuar konform praktikave dhe hulumtimeve më të mira në botë në fushën e zhvillimit të fëmijëve të bazuar në edukimin neuro-arsimor, mësimin e bazuar në lojë dhe të mësuarit në bazë të zgjidhjes së problemeve. Në realizimin e tyre është përfshirë dhe prof. dr. Reberka Grengjer-Ellis nga Universitetet “Xhon Hopkins dhe “Nju-Orllando” në SHBA. Sipas MPPS-së, ajo është një nga ekspertët kryesorë në botë në fushën e zhvillimit socio-emocional të fëmijëve, me përvojë shumëvjeçare në zbatimin e programeve të bazuara në hulumtime shkencore për fëmijët në arsimin parashkollor dhe fillor, përfshirë talentet dhe fëmijët me vështirësi në mësimdhënie dhe zhvillim.
Deri në fund të këtij dhe fillimi të vitit të ardhshëm, është planifikuar të mbahen gjithsej gjashtë punëtori onlajn të tilla. Ato janë pjesë e komponentit të dytë të Projektit të përmirësimit të shërbimeve sociale zbatuar me mbështetjen e Bankës Botërore dhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në kuadër të reformës gjithëpërfshirëse të shërbimeve sociale dhe sistemit të arsimit parashkollor në vend.