Derisa zgjatë takimi dyditor i Komisionit të përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, autoritetet në Shkup me mesazhe se bisedimet me Bullgarinë do të vazhdojnë edhe krahas vetos bullgare për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, ndërsa bashkësia shkencore dhe KOM me mesazh që dialogu me Sofjen të zhvillohet në bazë të drejtë dhe parimore me respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe njohurive të shkencës.
Komisioni i përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore dje e filloi takimin dyditor dedikuar përmbajtjes në librat maqedonas për histori për periudhën mesjetare dhe të hershme osmane, pasi rekomandimet për librat bullgarë për këto periudha janë shqyrtuar dhe miratuar në takimin paraprak. Tema e bisedës në takimin i cili u mbajt onlajn për shkak të situatës me Kovid-19 është edhe festimi eventual i përbashkët i Goce Dellçevit.
Kryeministri Zoran Zaev dje nga Negotina porositi se puna e Komisionit zhvillohet në atmosferë miqësore, që e vlerësoi si sinjal se të gjithë mundohen që të arrihet avancim. Ai shprehu siguri se shumë shpejtë do të ketë edhe zgjidhje, përmes të cilave, siç tha, do ta ndërtojmë miqësinë e përbashkët të të dyja vendeve.
Askush nuk po negocion për identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonasee. “Gjuha jonë, është e njohur në botë dhe ne jemi maqedonas dhe të tillë, si miq të Republikës së Bullgarisë dhe popullit bullgar, duhet të vazhdojmë të ndërtojmë miqësi”, deklaroi Zaev.
Vetëm me respekt për njëri-tjetrin, tha Zaev, ne mund të arrijmë marrëveshje që do të ndërtojë perspektiva dhe miqësi.
Bisedohet, theksoi ai, për ndalesën e gjuhës së urrejtjes, fazat dhe planet e veprimit për zbatimin më të suksesshëm të Marrëveshjes. Ai vuri në dukje se bisedimet duhet të vazhdojnë pavarësisht nga rezultati në 10 ose 18 dhjetor, kur do të merret vendimi.
“Megjithatë, strategjia e shtetit është që ne duhet të vazhdojmë të bisedojmë. Të paktën të krijojmë një atmosferë dhe t’i heqim pengesat deri verën e ardhshme, por nëse mund ta arrijmë këtë edhe tani duhet të bëjmë përpjekje maksimale deri në momentin e fundit”, tha Zaev.
Ai shtoi se përfaqësuesi special i Qeverisë për Bullgarinë, Vllado Buçkovski duhet të jetë vetëm motivues për zbatimin e Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë dhe se negociatat për gjetjen e zgjidhjes edhe më tej do t’i zhvillojë Ministria e Punëve të Jashtme.
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani megjithatë porositi se zgjidhja me Bullgarinë është në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.
“Kur të dyja palët do të sigurohen se zgjidhja është në Marrëveshje, mendoj se gjithçka tjetër do të vijë në vendin e vet. Përmes krijimit të një plan veprimi, marrëveshja do të ketë parashikueshmëri, në mënyrë që të realizohet. Askush nuk po ikën nga detyrimet e Marrëveshjes, tha Osmani duke shtuar se qëllimi është të rikthehet besimi në procesin, të tejkalohen interpretimet e ndryshme dhe për të gjetur pika të afrimit dhe të shënimit të përbashkët të ngjarjeve dhe figurave historike.
Ai konsideron se është keqardhje më e madhe që të lejohet të zhduket besimi në Marrëveshjen, sepse nëse ai humbet, siç bëri të ditur, do të ktheheshin në një situatë marrëdhëniesh pa kornizë, ndërsa ato i kishim për 30 vjet dhe pamë se si ishin rezultatet.
Lidhur me pritjet nga takimi i Komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, shprehet se ka hapësirë për të shkuar më tej në gjetjen e zgjidhjeve për temat dhe personalitetet që janë objekt diskutimi nga Komisioni, dhe se do të ishte për të ardhur keq nëse lëshohet ky afrim i deritanishëm i pikëpamjeve ndaj ngjarjeve dhe figurave të caktuara historike.
“Nuk ka kurrfarë dilemash në raport me Maqedoninë e Veriut dhe unë për çdo ditë marr mbështetje nga të gjitha vendet anëtare për të vazhduar procesin në raport me atë nëse duhet dy vendet ose një vend – këto janë qëndrime të vendeve anëtare të cilave ne nuk mund të përzihemi. Ne do të dëshironim që për të dy vendet të harmonizohet korniza dhe e njëjta të aprovohet”, tha Osmani.
“Dhe jo vetëm Komisioni, por çdo shtet tjetër anëtar. Qëllimi për të cilin ne përpiqemi të bëhemi një shtet anëtar është pikërisht të kemi një qëndrim simetrik ndaj tonës dhe nga Komisioni dhe vendet e tjera anëtare”, shtoi Osmani.
Lidhur me negociatat me Bullgarinë dje me memorandum të përbashkët të quajtur “Manifesti maqedonas” u deklarua edhe Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë (ASHAM), Kisha ortodokse maqedonase (KOM) dhe Universiteti Shën Cirili dhe Metodi (USHCM).
Me deklaratë dje doli edhe Partia e Socialistëve Evropian (PSE) shprehi zhgënjimin për shkak bllokimit bullgar për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke potencuar se mençuria politike e të dy vendeve është vendosur në testim.
“Vetëm gjuha e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të plotë i perspektivave afatgjata të rajonit mund ta kapërcejë me sukses këtë pengesë”, thuhet në kumtesën e Presidencës së PSE-së mbi situatën në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Në reagim theksohet se Socialistët dhe Demokratët Evropianë kanë qenë gjithmonë mbështetës të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mirëpritën vendimin e Këshillit Evropian për të filluar negociatat e inkuadrimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mars të këtij viti dhe prezantimin e projekt kornizës për negociatat në korrik.
“PSE shfaqi shpresën që përmes dialogut të barabartë dhe thelbësor midis Bullgarisë, e cila është anëtare e BE-së për 13 vjet, dhe Maqedonisë së Veriut, e cila shpreh fuqimisht dëshirën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, do të gjejë zgjidhje në favor të të dy vendeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zeav, vazhdon të demonstrojë guxim dhe lidership derisa kërkon rrugëdalje nga ngërçi, duke dhënë sinjalin e parë se një dialog i tillë përmbajtësor është i mundur. Fillimi i shpejtë i negociatave të pranimit do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet afatgjata midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është koha që të gjithë të veprojnë me përgjegjësi dhe mençuri, të udhëhequr nga vizioni i një të ardhme të përbashkët evropiane” thuhet në kumtesën e PSE.
Sipas analizës nga “Politiko”, megjithatë lojtari kryesor në heqjen e bllokadës mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është presidenca gjermane dhe jo Varheji.
“Bllokada e Bullgarisë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut, për shkak të kontestit dypalësh mbi gjuhën dhe identitetin i dha një goditje Komisionit, qëllimi i të cilit ishte të fillonte negociatat deri në fund të vitit. Disa diplomatë akuzojnë Varhejin si shumë të butë ndaj Sofjes, por shumica thonë se problemi kryesor është se PPE (Partia Popullore Evropiane), nuk ishte aq e ashpër kundrejt kryeministrit bullgar Bojko Borisov”, shkruan “Politiko”.
Sipas analizës nga “Politiko”, megjithatë lojtari kryesor në heqjen e bllokadës mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është presidenca gjermane dhe jo Varheji.