Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot dhe dje mori pjesë në takimin ministror të Këshillit Veri Atlantik të NATO-s, që për shkak të masave të imponuara restriktive për shkak të pandemisë u mbajt përmes video lidhjes.
“Ne mbetemi të përkushtuar në temat e rëndësisë kyçe për Aleancën dhe si anëtare më e re do të vazhdojmë të promovojmë atmosferë dhe politikë të stabilitetit rajonal si faktor kyç për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë vendeve nga Ballkani Perëndimor”, tha Osmani në fjalimin e tij të parë para kolegëve- ministra të vendeve anëtare.
Në paraqitjen e tij, Osmani theksoi se kontributi ynë do të vazhdojë përmes angazhimit të përkushtuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt sigurisë rajonale dhe globale, me pjesëmarrje të drejtpërdrejt në misionet ushtarake të udhëhequra nga Aleanca.
“NATO- 2030- procesin e reflektimit, e shohim përmes vizionit për parashikueshmëri më të madhe të Aleancës pas 2030, e cila do të vazhdojë t’i zbatojë detyrat e saj kyçe dhe t’i mbajë principet bazë dhe politikat. Aleanca përmes këtij projekti e shohim si instrument që do të vazhdojë të kujdeset për sigurinë tonë dhe do të na mundësojë prosperitetin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm”, theksoi Osmani, duke veçuar rolin e rëndësishëm të Aleancës në rrethanat aktuale të sigurisë dhe ballafaqimin me sfidat e sotme.
Nga MPJ-ja kumtojnë se agjenda e takimit dy ditor të Ministrave për Punë të Jashtme në NATO përfshinte më shumë çështje për diskutim nga fusha e prioriteteve strategjike të Aleancës, përfshire edhe ballafaqimin me sfidat e sigurisë, stabiliteti rajonal, kontrollin e armatimit, pjesëmarrjen në misione dhe operacione, ndërkohë u shkëmbyen edhe pikëpamje rreth ekspertizës së prezantuar “NATO 2030”.
Gjithashtu, ministrat e Punëve të Jashtme aprovuan dhe shënuan disa dokumente të harmonizuara në lidhje me temat që ishin temë diskutimi në kuadër të NATO-s.