Ende ka optimizëm midis zyrtarëve maqedonas, një javë para takimit të Këshillit të BE-së, në lidhje me mundësinë e dhënies së dritës jeshile për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, me çka do të hapej rruga për mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit, gjatë presidencës gjermane të Unionit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha pardje se Maqedonia e Veriut ka ende shans për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në këtë vit, gjatë presidencës gjermane të Unionit. Ajo megjithatë tha se ata po përballen me vështirësi në mbajtjen e konferencës ndërqeveritare dhe se ka ende nevojë për negociata midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut..
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dje theksoi se duhet të jemi optimist deri në fund lidhur me mundësitë për hapjen e negociatave me BE-në në dhjetor sepse është në interes tonin. Linjat e kuqe, siç potencoi Mariçiq, nuk guxojnë të tejkalohen dhe beson në ekipin e Maqedonisë së Veriut se do të japin maksimumin që të hapen negociatat pa u rrezikuar interesat dhe identiteti.
“Duhet të jemi optimist deri në fund dhe të shpresojmë dhe të punojmë”, ka thënë ministri Mariçiq.
Ndërkohë, ambasadori holandez në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kop tha se çështjet bilaterale nuk janë pjesë e kornizës. Vendi duhet të kalojë përmes procesit negociues dhe pas një numër të caktuar të viteve të hyjë në Bashkimin Evropian.
Sipas ambasadorit, për momentin është e pamundur të jepet përgjigje nëse deri në fund të vitit vendi do t’i fillojë negociatat me BE-në, edhe pse, thotë, është e qartë ky proces ku duhet të lëvizë dhe kjo është më e rëndësishme për një datë.
“Është e pamundur t’i përgjigjem kësaj. Është duke u punuar shumë për momentin edhe Maqedonia e Veriut edhe Bullgaria janë duke biseduar, kjo është gjithmonë mirë. Gjermanët të cilët për momentin kanë kryesim janë duke punuar me mund për t’i bashkuar të dyja palët, nëse do t’ia dalin është e pamundur të parashihet, por të gjithë akoma shpresojnë se rezultati do të jetë pozitiv”, thotë Jan Kop.
Sipas tij se kur do të mbahet konferenca ndërqeveritare nuk është aq e rëndësishme. “Mendoj se shumë simbolikë po jepet për një datë. Ajo që vendi duhet të bëjë tani është të kalojë së bashku me ne nëpër 35 kapituj të procesit të pranimit, duke filluar nga Kapitujt 23 dhe 24 për sundimin e ligjit dhe gjyqësorin. Baza është vendosur. Struktura është e qartë. Shtetet anëtare të Unionit në gjashtë muajt e kaluar së bashku me Komisionin e kanë përgatitur kornizën. Eshtë e qartë se nga duhet të lëvizë ky proces, kjo është shumë më e rëndësishme se një datë”, tha ambasadori, duke theksuar se asgjë nuk funksionon në një shoqëri nëse nuk ka sundim të ligjit.
Jan Kop thotë se tani vendi është një hap përpara dhe se tashmë ka bërë shumë dhe ndoshta do të jetë në gjendje t’i përmbushë pritjet dhe të lëvizë nëpër kapituj mjaft shpejtë.
Ndërkohë, Qeveria dje në një seancë e emëroi Vllado Buçkovskin, si përfaqësues special për Bullgarinë.
Reagimet ndaj emërimit të Buçkovskit erdhën nga opozitarja VMRO-DPMNE. Lideri, Hristijan Mickoski tha se “është e vështirë për Maqedoninë nëse zgjidhja është në tandemin Zaev-Buçkovski”.
“Buçkovski propozoi një festim të përbashkët të Ilindenit me fqinjin lindor, ndërsa Zaev në intervistën e djeshme i bëri ata çlirimtarë. Sot, njeriu karriera e të cilit përfundoi me një marrëveshje politike për lëndën gjyqësore, vepra të Tenkovit, Zaevi e kthen në një derë të re që negocion historinë, gjuhën, pakicën maqedonase, heronjtë, tha Mickoski.
Gazeta greke “Katimerini” shkroi se insistimi i Bullgarisë që ta bllokojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, paraqet rrezik për krijimin e edhe një plasaritje të krahut juglindor të NATO-s, në kushte kur ekzistojnë ndarje të thella mes të dy anëtareve të tjera në Paktin e rajonit – Greqia dhe Turqia.
Sipas gazetës, mes Sofjes dhe Shkupit po krijohet një përplasje e re “për shkak të kontroversës së vjetër dy shekuj në bazë etnike”.
“Edhe Bullgaria edhe Maqedonia e Veriut janë anëtare kyçe të Aleancës në rajon. Bullgaria me rolin e saj si supervisor mbi Detin e Zi dhe në jug të Rusisë, ndërsa Maqedonia e Veriut si tampon zonë kundër përhapjes së mëtutjeshme ruse në zemrën e Ballkanit. Të dyja vendet shumë fuqishëm i ndjejnë pasojat nga konflikti amerikan – rus për ndikim”, shtoi gazeta.
Sipas “Katimerinit”, deri më tani duket se rivaliteti mes Sofjes dhe Shkupit nuk ndikon ndaj NATO-s, e cila është në qëndrimin se bëhet fjalë për “çështje evropiane të cilën duhet ta zgjidhin vendet anëtare të BE-së”.
“Edhe po të jetë ashtu, bllokada e Bullgarisë për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE nuk del nga kriteret për anëtarësim, si nevoja për përforcim të demokracisë ose çrrënjosjen e korrupsionit, por ajo bazohet në pohimet historike të cilat e nxisin nacionalizmin e të dyja palëve dhe kjo së shpejti do të mund të kishte ndikim edhe ndaj NATO-s, nëse këto dallime nuk tejkalohen”, shtohet në komentin e gazetës athinase.