Kategoritë

Injorimi nuk është zgjidhje

Shkruan: Besa Arifi

Në Maqedoninë e Veriut krimet e urrejtjes janë realitet për të cilin flasin vetëm organizatat joqeveritare. De iure, kriminaliteti i urrejtjes në vendin tonë dënohet me ligj. Kodi penal i Maqedonisë së Veriut është plotësuar dy herë lidhur me këtë çështje, në vitin e largët 2009 dhe së fundi në vitin 2018. Si edhe për shumë çështje tjera, ligji ka paraparë mbrojtjen e duhur për qytetarët nga kjo kjo formë e kriminalitetit, e megjithatë, de facto zbatimi në parktikë i këtyre dispozitave le shumë për të dëshiruar.

Po të shihen statistikat e oragnizatave joqeveritare, do të vërehet që në shtetin tonë dominojnë krimet e urrejtjes të kryera nga motivi i urrejtjes ndëretnike. Këto krime kryesojnë listën e motiveve të këtij kriminaliteti të cilën e përpilon Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në kuadër të programit “Krimet e urrejtjes”. Po të shikoni statistikat që OSCE i përgatit për rajonin mbi këtë problematikë, do të vëreni që nga Maqedonia e Veriut nuk ka statistika zyrtare. Zyrtarisht, në vendin tonë, krimet e urrejtjes nuk ekzistojnë. Ekzistojnë vetëm të shkruara në ligj. Ndërsa ne i shohim të ndodhin çdo ditë, dhe i shohim poashtu të raportuara si incidente të urrejtjes nga organizatat joqeveritare. Ky injorim zyrtar i kriminalitetit të urrejtjes është vrasës për një shoqëri multietnike. Injorimi nuk na bën të dukemi mirë as ndaj njëri tjetrin e as para botës. Injorimi nuk e zgjidh këtë problem. Injorimi e vendos këtë problem nën qilim. Injorimi një ditë duhet të përfundojë dhe institutcionet tona duhet haptazi të përballen me këtë formë të kriminalitetit. Kjo do të dëshmonte se Maqedonia e Veriut jo vetëm në mënyrë deklarative por edhe institucionalisht ka vendosur ta konsiderojë diversitetin si vlerë dhe ta trajtojë pa droje urrejtjen.

Krim i urrejtjes është çdo vepër penale e cila kryhet për shkak të njodnjë karakteristike grupore të viktimës. Pra krimet e urrejtjes konsiderohen krime më të rënda se të zakonshmet sepse këto targetojnë identitetin e viktimës. Tek këto krime viktima sulmohet sepse është shqiptar, maqedonas, turk, mysliman, katolik ose ortodoks. Këto krime targetojnë grupe dhe gjini me karakteristika të përbashkëta. Këto krime targetojnë gratë si grup, targetojnë personat me nevoja të posaçme si grup, targetojnë personat LGBTIQA+ si grup, targetojnë emigrantët si grup… Këto janë krime me mesazh të qartë: grupi të cilit i përket viktima nuk është i sigurtë në këtë vend dhe duhet të largohet. Është pikërisht ky targetim grupor ai që i bën këto krime më serioze se të tjerat. Dënimet për këto krime janë më të rënda dhe targetimi i një personi për shkak të përkatësisë grupore të tij është gjithmonë rrethanë rënduese sipas ligjit.

Përse ështe e rëndësishme ndjekja e këtyre krimeve? Për shkak se targetimi grupor i viktimave të krimit mund të sjellë pasoja shumë të mëdha për gjithë shoqërinë. Të mos harrojmë asnjëherë se shprehjet më të rënda të urrejtjes në botë kanë filluar me hapa të vegjël.

Kur në vitet 1920 Hitleri ka mbajtur fjalime ku i ka dehumanizuar hebrenjtë ose romët, askush nuk e ka marë shumë seriozisht, askujt nuk ia ka marë mendja se pas vetëm disa vitesh procesi i tmershëm i Holokaustit do të bëhet realitet. Kur Hutut janë shprehur në mënyrë dehumanizuese për Tutsit në Ruanda, askujt nuk ia ka marrë mendja gjenocidin që do të ndodhte brenda vetëm 100 ditësh në vitin 2004 në atë shtet. Problemi me gjuhën e urrejtjes dhe me krimet e urrejtes qëndron në faktin se ato trasojnë një rrugë mjaft të rrezikshme përfundimi i së cilës mund të jetë fatal për shumë njerëz dhe një traumë e madhe për gjithë njerëzimin. Prandaj krimet e urrejtjes duhen trajtuar që në parqitjen e tyre dhe jo të lihen të eskalojnë në përmasa maramendase humbjet nga të cilat janë të pariparueshme.

Trajtimi adekuat dhe institucional i krimeve të urrejtjes nga organet shtetërore është esencial për ruajtjen e demokracisë dhe barazisë mes qytetarëve. Në momentin kur këto krime nuk trajtohen siç duhet qytetarë të përkatësive të caktuara ndihen të pasigurtë në shtëpinë e vet, në lagjen e vet, në shtetin e vet. Kjo pasiguri i bën ata dyshues ndaj shtetit që nuk u ofron mbrojtjen e duhur. Kjo pasiguri i bën ata të margjinalizuar. Kjo pasiguri i bën ata të ndjehen të huaj në shtëpinë e vet në lagjen e vet, në shtetin e vet. Pasiguria asnjëherë nuk rezulton në diçka të mirë dhe shpesh herë është shkas për paraqitjen e shumë problemeve tjera.

Unioni Evropian ka mekanizma të posaçëm për trajtim të krimeve të urrejtjes. Përshtjatja e këtyre mekanizmave në legjislacionit tonë dhe në praktikën tonë gjyqësore do të jetë njëri ndër hapata e domosdoshëm për tu ndërmarë në rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Fundja një shtet që ende nuk ka një aktgjykim të mirëfilltë ku trajton krimet e urretjes nuk mund të thuhet se ka vendosur ta nxjerë poshtë qilimit këtë problem dhe të përballet haptazi me të.

Kjo përmbajtje është pjesë e Nismës “Të bashkuar në dallime”, kushtuar promovimit të dallimeve si përparësi, pasuri dhe cilësi e shoqërisë  tonë. Nismën e udhëheq CIVILi, me mbështetje nga Ministria për punë të jashtme dhe çështje evropiane e Dukatës së Madhe  Luksemburg.