Shfuqizimi i marrëveshjeve me investitorët e huaj duhet të kuptohet si rrjedhë normale sepse marrëveshjet për mbështetje kanë të drejta dhe obligime. Nëse njëra palë nuk i përmbush obligimet normal duhet të shihet se a duhet të shfuqizohet marrëveshja ose jo, porositi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Ne thamë se sundimi i drejtësisë është një nga parimet themelore të kësaj qeverisje dhe se do të veprojmë drejtë. Për këtë konsideroj se shfuqizimi i marrëveshjeve është në këtë frymë. Aty ku nuk janë përmbushur obligimet, shfuqizohen marrëveshjet”, tha Bytyqi në përgjigjen e një pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Ai theksoi se disa nga investitorët me të cilët janë shfuqizuar marrëveshjet paralajmërojnë se do të vijnë përsëri që të nënshkruajnë marrëveshje për mbështetje sepse janë krijuar kushtet për investim të mëtutjeshëm nga ana e tyre.
“Ne nuk themi se nuk do t’i mbështesim, do t’i mbështesim me garanci të siguruara se do ta bëjnë këtë, por në të njëjtën kohë kemi paralajmërime të shumë kompanive të cilat ose deri në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojnë me investimet e reja. Intensivisht tashmë ndërtohet një nga objektet më të mëdha, e ai është ‘Dura Automotiv’ me 100 milionë euro investime të cilat do të bëhen sipas gjitha gjasave gjatë gjithë vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022 me 500 punësime të reja. Kemi një varg kompanish të tilla të cilat janë serioze, janë pjesë e zinxhirit global dhe si të tilla ne në mënyrë adekuate do t’i mbështesim. Kjo do të kërkojë disa implikime buxhetore të kompanive të tilla mbështetet eksporti, mbështetet biznesi gjithëpërfshirës”, potencoi Bytyqi.
Paralajmëroi se do të vazhdojë ristrukturimi i ndërmarrjeve publike me qëllim që të sigurohen kushte adekuate drejtë qytetarëve.
“Posta e Maqedonisë” do të hyjë në procesin e ristrukturimit pa prejudikime të modelit se a do të jetë ai partneritet publiko-privat ose do të jetë privatizim i plotë. Por, qëllimi themelor është që të sigurohen shërbime të mira postare për qytetarët tanë. Konsideroj se në vitin 2021 secili qytetar i yni meriton të ketë qasje në rrjedhat normale botërore, e ajo është se kur fëmijët tanë do të dëshirojnë të blejnë libër nga Amazona të mund ta bëjnë këtë përmes një provajderi të tillë dhe a do të nënkuptojë kjo shitje ose partneritet publiko-privat, a do të nënkuptojë kjo 10, 15, 20 milionë euro shtesë në buxhet kjo është irelevante. Me rëndësi është se shërbimi ndaj qytetarëve do të sigurohet”, theksoi Bytyqi.
E ngjashme, si tha është edhe situata me “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport” të cilat sigurojnë transport të mallrave dhe udhëtarëve.
“Konsideroj se secili qytetar, secila ndërmarrje meriton të ketë transport modern. E pamë se kjo kompani disa vite i kthen prapa shërbimet të cilat ua jep qytetarëve dhe biznesit tonë. Konsiderojmë se duhet të hymë në proces të ristrukturimit sepse shteti ynë gjendet në lokacion shumë të mirë gjeostrategjik dhe përmes transportit të mallrave mund të fitojë shumë mjete, ndërsa deri më tani janë humbur ato mjete. Sasia e të ardhurave në buxhet nga operacionet e tilla nuk është aq e rëndësishme, por qëllimi tjetër është më i rëndësishëm”, tha Bytyqi.