Taktikën që për momentin e përdorë Qeveria e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është mjaft e pakuptimtë dhe kundërproduktive dhe mund të ketë pasoja serioze, jo vetëm për marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për të gjithë rajonin dhe për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, konsideron ish-ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere.
Qasja e Qeverisë bullgare dërgon mesazh të keq deri te vendet e Ballkanit Perëndimor se edhe ata mund të përballen me bllokadë të plotë në rrugën drejt BE-së, tha Fuere në një intervistë me Radion kombëtare bullgare.
“Bullgaria po e përdor anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian për të imponuar interpretimin e saj të historisë, si dhe për të këmbëngulur që versioni i saj duhet të pranohet nga vendet e tjera para se të fillojnë negociatat e aderimit. Dhe kjo është joproduktive sepse minon politikën e zgjerimit të BE-së dhe shkon plotësisht kundër parimeve mbi të cilat mbështetet integrimi evropian dhe me të cilat Bullgaria ra dakord kur u bë anëtare e BE-së në vitin 2007”, theksoi Fuere.
Ai thotë se çështjet e ngritura nga Sofja – integriteti territorial, identiteti kombëtar, ekzistenca ose jo e një pakice kombëtare, interpretimi i historisë – janë probleme reale që ekzistojnë jo vetëm midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por nëse flitet për një gamë më të gjerë të Evropës, kjo është një nga arsyet për krijimin e procesit të integrimit evropian – që të zgjidhen këto çështje, të promovohet pajtimi jo me forcë, por me bashkëpunim.
Si shembull, e thekson faktin se si Irlanda ashtu edhe Britania e Madhe kanë pasur një histori mjaft të trazuar disashekullore, por kur të dy vendet u bënë anëtare të Bashkësisë Evropiane, siç quheshe në vitin 1973, u bë e mundur të shtrohen dhe zgjidhen disa çështje kritike, siç janë identiteti kombëtar, historia dhe të drejtat e pakicave.
Sipas Fueres, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë midis Shkupit dhe Sofjes është një shembull shumë i mirë për dy vendet fqinje për të punuar së bashku dhe për të gjetur një bazë të përbashkët për besimin e ndërsjellë, por kjo kërkon kohë.
“Marrëveshja me Irlandën e Veriut e vitit 1998 është duke u zbatuar ende – 20 vjet më vonë. Prandaj, mendoj se është e paarsyeshme që Bullgaria të besojë se gjithçka në këtë marrëveshje duhet të bëhet ditën e parë pas nënshkrimit. Duhet kohë, duhet të diskutohet, komisionet arsimore dhe multidisiplinare duhet të takohen, ndërsa bllokimi i procesit të zgjerimit do ta parandalojë atë”, tha Fuere.
Nëse nga ana tjetër, Bullgaria nuk vë veton dhe lejon fillimin e bisedimeve zyrtare të aderimit me Maqedoninë e Veriut, të cilat do të zgjasin disa vjet, kjo, sipas tij, do të japë sinjal shumë pozitiv që Sofja e sheh këtë proces si një proces të bashkëpunimit.
“Kjo, do të krijojë gjithashtu një atmosferë pozitive për vazhdimin e bisedimeve dypalëshe midis dy vendeve për çështje të hapura. Është e rëndësishme që i gjithë rajoni i Ballkanit, BE-ja dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare t’i shqyrtojnë këto çështje në mënyrë shumë më gjithëpërfshirëse, sepse ato do të vazhdojnë të shfaqen, megjithëse në një kontekst tjetër – për shembull, kur do të fillojnë negociatat me Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë. Të gjitha këto probleme janë shumë komplekse dhe barra e historisë mbi to është akoma shumë, shumë e rëndë. Prandaj në fokusin e vëmendjes së BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë se si të ndihmohet në zgjidhjen e këtyre problemeve bilaterale përmes bashkëpunimit dhe integrimit të shoqërive”, tha Fuere.
Konsideron n se gjërat nuk duhet të kthehen prapa dhe të rihapen debate historike kontestuese, por të merret parasysh se BE-ja është një bashkësi që promovon pajtim bazuar në shtetin e së drejtës.
Fuere thotë se në kontekstin e shtetit ligjor mbi të cilin bazohet BE-ja, çështja e pakicave kombëtare nuk mund të injorohet, për të cilat ka vendime të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.
“Gjykata për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës u krijua pikërisht për të garantuar që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ta respektojnë atë. Dhe nuk mund të injorojmë faktin se ka aktgjykime të Gjykatës së Strasburgut, pikërisht për ekzistencën e pakicave kombëtare në Bullgari. Edhe BE-ja, anëtare e së cilës është edhe Bullgaria, gjithashtu bazohet në shtetin e së drejtës. Çështja e pakicave kombëtare nuk ekziston vetëm në Ballkan, por në të gjithë BE-në, në Katalonija, Uells, Skoci. Por ka procese që merren me zgjidhjen e tyre – jo me forcë, por përmes bashkëpunimit”, tha ish-ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere.