Një ditë pas miratimit të rebalancit të buxhetit, Ministria e Ekonomisë do të fillojë zbatimin e masave për mbështetje financiare në përputhje me Pakon e katërt të masave të sjellura nga ana e Qeverisë, deklaroi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Ministri në një intervistë për Televizionin Alfa, theksoi se rebalanci i buxhetit nuk është vonuar dhe se mbështetja financiare e paraparë nga Qeveria në Pakon e katërt do të arrijë në kohë tek kompanitë dhe qytetarët më të prekur.
“Një ditë pas miratimit të rebalancit të buxhetit, Ministria e Ekonomisë do të paraqes të gjitha masat brenda kompetencave të veta, veçanërisht për sektorët më të prekur si turizmi, hotelieria, gastronomia, zejtarët”, ceku ministri Bekteshi dhe theksoi se Qeveria është e gatshme për të vazhduar me masa të reja edhe pas dhjetorit, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme në mënyrë që sektorët më të prekur të vazhdojnë me punë.
“Sa i përket hotelierisë edhe në Shtabin e Krizave edhe Këshillin ekonomik, por edhe ne si Ministri e Ekonomisë aktualisht nuk po shqyrtojmë karantinën e plotë, pra mbylljen e plotë të këtij sektori, por kjo do të varet nga numri i të infektuarve dhe nga pasqyra epidemiologjike në vend. Sigurisht, nëse kjo ndodh, ne do të plotësojmë më tej nevojat e sektorit të turizmit dhe hotelierisë siç ishte më parë, sepse ato ishin dhe përfshihen në të katër Pakot e masave ekonomike të miratuara nga Qeveria, tha Bekteshi dhe shtoi se nëse ka masa shtesë restriktive për këtë sektor, atëherë sigurisht që do të miratohen masa të reja mbështetëse.
Theksoi se po bëhen analiza dhe nëse do të jetë e nevojshme do të miratohet edhe Pako e pestë dhe e gjashtë e masave ekonomike.
Bekteshi theksoi se ekonominë po e presin ditë të vështira, por gjithsesi optimiste janë të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave, sipas të cilave rënia e prodhimit industrial zvogëlohet krahasuar me të dhënat nga tremujori i dytë, që sipas Bekteshit kjo dëshmon se masat e miratuara nga Qeveria janë në drejtimin e duhur.
“Me masat që po ndërmarrim, ne po përpiqemi të bëjmë rënien e ekonomisë më të vogël, pra në nivelin 4.4%,” deklaroi ministri Bekteshi.