Kryeministri Zoran Zaev sot mbajti takim nëpërmjet lidhjes video konferenciale me homologun e tij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke riafirmuar nismën për të përmirësuar bashkëpunimin e përparuar rajonal brenda Procesit të Berlinit, që filloi vitin e kaluar.
Siç transmeton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, kabineti i Vuçiqit kumtoi se takimi arriti në konkludim se iniciativa është plotësisht në përputhje me Procesin e Berlinit dhe se është bazë e mirë për Samitin e ardhshëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Sofje.
Aktivitetet e nismës për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal u shtynë për shkak të pandemisë KOVID-19, si dhe për shkak të zgjedhjeve të mbajtura në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
“Tre liderët ranë dakord që kriza në mënyrë shtesë e theksoi nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin dhe integrimin rajonal ekonomik, duke theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor të përfshihet në mënyrë shtesë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe për këtë arsye i kanël bërë thirrje Prishtinës që të bashkohet në nismën”, thuhet në kumtesë.
Ftesa vijoi pas vendosjes së kornizës së përcaktuar në Uashington në shtator të këtij viti midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministrat Rama dhe Zaev ranë dakord të krijojnë grup të përhershëm pune që do të përfshijë zyrtarë të qeverive të secilit prej vendeve pjesëmarrëse, në mënyrë që të përshpejtojë procesin e nënshkrimit dhe zbatimit të aktiviteteve të dakorduara brenda iniciativës për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal”, shtohet në kumtesë.
Pjesëmarrësit në takim ranë dakord që kjo iniciativë mund të përdoret për të identifikuar projekte të përbashkëta të infrastrukturës që synojnë zhvillimin e rajonit, në përputhje me Pakon ekonomike-investuese të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Të tre liderët shfaqën shpresë se qeveritë e Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës së shpejti do të jenë në gjendje të bashkohen me nismën, e cila do të çonte në bashkëpunim më të mirë ekonomik mes të gjitha vendeve në rajon, duke rezultuar në rritje të lirive, shkëmbimit tregtar dhe përmirësimit të standardit të jetesës për të gjithë njerëzit në rajon.