Kategoritë

SHOQËRI Pesë milionë euro nga BE-ja dhe pothuajse një milion euro për bashkëfinancim kombëtar të projekteve në komuna

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe Ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir sot e shënuan fillimin e thirrjes për propozimet e projekteve “BE-ja për komunat”.

Fondet në vlerë prej pesë milionë eurosh janë siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërsa fondet shtesë për bashkëfinancim të projekteve sigurohen nga buxheti i shtetit dhe do të realizohen përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Thirrja synon t’i forcojë njësitë e vetëqeverisjes lokale përmes tre përparësive të BE – solidariteti, bashkëpunimi dhe qasje e gjelbër.

Ministri Milevski u bëri thirrje kryetarëve të komunave, organizatave të shoqërisë civile dhe komuniteteve të biznesit që së bashku të bëjnë ndryshime në komuna përmes projektit “BE-ja për komunat”.

“BE siguron pesë milionë euro që do të implementohen në komunat, projektet e të cilave do të aprovohen. Ministria e Vetëqeverisjes Lokale siguron 600.000 euro nga buxheti i shtetit për t’i bashkëfinancuar projektet e miratuara. Në këtë mënyrë ne e bëjmë më të lehtë për komunat që të aplikojnë dhe t’i bëjmë ato më të arritshme për përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian. Thirrja është publikuar dhe do të jetë e hapur deri më 30 dhjetor. Kushti është që projektet të ofrojnë një mënyrë të re për zgjidhjen e problemeve në komuna. Me zgjidhje inovative për t’i përmirësuar shërbimet ekzistuese ose për të krijuar shërbime të reja lokale”, tha Milevski.

Bashkimi Evropian, siç tha ai, siguroi një milion euro shtesë për përgatitjen teknike të komunave për aplikim. “Anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian është përparësia më e lartë që ne do të realizojmë duke i përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët në të gjitha zonat. Shumë nga ndryshimet e pritshme duhet të ndodhin edhe në komuna”, tha Ministri i Vetëqeverisjes Lokale.

Sipas Milevskit, fushat kryesore ku duhet të përqëndrohen projektet janë: zgjidhje inovative për shërbime të reja ose përmirësimin e atyre ekzistuese, kujdes më të mirë shoqëror dhe shërbime sociale, përmirësim të kapacitetit të menaxhimit të krizave, rimëkëmbje ekonomike pas krizës me pandeminë, vende pune dhe aftësi, si dhe përparësitë në lidhje me ndryshimin e klimës dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve kombëtare. Zbatimi i projektit do të zgjasë tre vjet.

Kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov theksoi se BE-ja vazhdon ta mbështesë vendin, ndërsa përvojat nga rajonet dhe qytetet evropiane janë gjithmonë të mirëseardhura. Këtë, siç tha ai, e presim edhe nga ky projekt i cili është pjesë e programit IPA 2 për vitin 2020 në kuadër të veprimit të KE-së “BE-ja për Komunat”, i cili duhet ta sigurojë transferimin e njohurive dhe përvojën praktike të autoriteteve lokale evropiane tek komunat.

Shilegov beson se komunat do ta japin maksimumin e tyre, do të aplikojnë për fonde nga projekti në bashkëpunim me kolegët e tyre evropianë dhe do të ofrojnë zgjidhje inovative për t’i përmirësuar shërbimet komunale dhe për ta përmirësuar kapacitetin e administratës komunale.

Ambasadori Gir theksoi se BE-ja po e ndihmon vazhdimisht vendin për t’i tejkaluar pasojat ekonomike të pandemisë Kovid-19.

Ai informoi se projektet synojnë t’i afrojnë parimet themelore të vetëqeverisjes lokale të BE-së me Maqedonisë e Veriut. Kjo, siç tha Gir, do të realizohet me komunat e BE-së duke ndarë përvojën dhe njohuritë me komunat e Maqedonisë se si të zgjidhen më mirë problemet lokale. Zhvillimi i koncepteve inovative dhe përdorimi i burimeve kombëtare në ballafaqimin e problemeve në nivelin lokal inkurajohen në kuadër të thirrjes. Me mbështetjen e BE-së, qeveritë lokale do t’i përmirësojnë shërbimet lokale, prandaj, ata do të jenë të gatshëm të marrin kompetenca më të gjera. Thirrja për projekte “BE-ja për komunat” bashkëfinancohet nga Qeveria.