Vala në vjeshtë të Kovid-19 po merr një hov gjithnjë e më të madh. Numri i të sëmurëve po rritet, ndërsa shtetet vendosin masa më të ashpra në përpjekje që ta parandalojnë përhapjen e virusit.
Në vendet e rajonit, Kroacia dje ka shënuar 2.421 raste të reja që është deri më tani numër më i madh i pacientëve të sëmurë në një ditë në këtë shtet. Sllovenia ka regjistruar pothuajse 2.000 të sëmurë të rinj, ndërsa Bullgaria 1.043 raste të reja.
Rumania ka raportuar 3.855 raste të reja, Britania e Madhe 19.790 raste, ndërsa rekord të ri ditor të të infektuarve ka regjistruar edhe Italia, madje 21.271 persona.
Bilanc të ri të zi të të sëmurëve dhe të vdekurve ka regjistruar dje edhe Ministria e Shëndetësisë. Në vend në 24 orët e fundit betejën me koronavirus e kanë humbur 22 persona, ndërsa janë regjistruar 561 raste të reja nga gjithsej 1.901 testime me çfarë përqindja e të infektuarve të rinj është ngjitur në 30.
Pacientë më i ri është i moshës 35 vjeçe, ndërsa më i vjetri i moshës 81 vjeç. Përveç dy pacientë, të gjithë të tjerët kanë vdekur në kushte spitalore.
Më shumë se gjysma e të infektuarve të rinj janë nga Shkupi, gjegjësisht 271.
Kapacitetet spitalore janë pothuajse plot, ndërsa janë plot edhe spitalet modulare. Pothuajse 600 pacientë janë hospitalizuar në spitalet infektive në vend. Në Klinikën infektive në 24 orët e kaluara janë pranuar 17 pacientë. Në këtë klinikë ka gjithsej 137 pacientë të shtruar në spital. Në mbështetje të oksigjenit janë 97 pacientë, ndërsa nuk ka pacientë në ventilim mekanik. Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar 6 fëmijë dhe 8 nëna pozitivë në virusin, 3 fëmijë dhe 1 nënë të dyshuar për Kovid-19. Në SPQ “8 Shtatori” ka 6 pacientë të pranuar, ndërsa gjithsej janë hospitalizuar 49 pacientë. Në respirator është një pacient. Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 57 pacientë, ndërsa në atë të Shtipit 54 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë, Strugë, Koçan, Gjevgjeli dhe Kavadar janë hospitalizuar 281 pacientë pozitiv dhe të dyshuar me Kovid-19.
“Gjendja me virusin është jashtëzakonisht serioze dhe kritike, presioni mbi spitalet dhe kuadrin mjekësor është i madh. Vala e vjeshtës ka kapur gjithë Evropën dhe botën, askush nuk është kursyer. Ju lus që të kuptohet shumë seriozisht, sepse nga secili prej nesh varet se si do ta tejkalojmë këtë valë”, ka apeluar sonte ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai pret që menjëherë dhe në procedurë të shkurtuar të miratohen të gjithat masat dhe ndryshimet ligjore dhe ka ftuar njëherësh në përgjegjësi maksimale të çdo individi dhe respektim të të gjtiha masave për mbrojtje.
“Sot për fat të keq, kemi numër më të madh të viktimave, 22 pacientë e humbën betejën me Kovid-19. Regjistruam numër rekord prej 30% të pacientëve të testuar dhe gati 600 pacientë ndodhen të hospitalizuar në repartet infektive në vend”, ka shkruar Filipçe në Fejsbuk.
Për shkak të përforcimit të kapaciteteve tashmë është paralajmëruar vendosja e 16 mini reparteve kovid, ndërsa ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe paralajmëroi edhe rritjen e termineve dhe numrit të testeve.
Qeveria tashmë ka miratuar masa me të cilat e ka kufizuar punën e objekteve të hotelerisë deri në orën 23, përveç atyre të cilët kryejnë dërgesë dhe rekomandoi të kufizohet kapaciteti i udhëtarëve në autobusë në 50 për qind nga numri i përgjithshëm i pacientëve. Administratës shtetërore dhe publike, komunave dhe gjykatave u rekomandoi të punojnë onlajn apo ta organizojnë punën në turne.