Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit dyshon se partitë politike gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare i kanë keqpërdorur mjetet të cilat ua ndan Ministria e Drejtësisë nga buxheti i shtetit. Në vend që ato para t’i përdorin për atë se për çfarë u janë ndarë – punë të rregullt të partisë, ata i kanë përdorur për fushatë zgjedhore, që është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, raporton Portalb.mk.
“Pjesa më e madhe e partive nuk kanë numër të madh të anëtarëve, nuk sigurojnë të ardhura prej anëtarësive – vetëm prej donacioneve. Disa prej partive, duke mos pasur të ardhura të mjaftueshme, si në llogarinë e rregullt, si në atë për zgjedhjet, i marrin mjetet prej buxhetit dhe si donacione prej partisë i shfrytëzojnë për financim të fushatës zgjedhore”, tha anëtarja e Antikorrupsionit, Katica Nikollovska, në konferencën tematike për shtyp në lidhje me sqarimin e raportit të veçantë për procesin zgjedhor, të cilin e kanë miratuar dhe e kanë dorëzuar në Kuvend.
Ajo konfirmoi se janë bërë 5 transferime, por nuk tregoi se cilat parti i kanë bërë, pasi që të dhënat janë dorëzuar në Entin Shtetëror të Revizionit.
“Ka dyshim se mjetet buxhetore janë përdorur për financim të fushatës zgjedhore. Këtë duhet që ta konfirmojë Enti Shtetëror i Revizionit, pasi që ata kanë qasje te të gjitha të ardhurat, burimet, mjetet, kush, kur dhe në çfarë vlere ka paguar. Derisa nuk na konfirmon Enti Shtetëror i Revizionit ne nuk do të dalim me të dhëna të tilla. Ka parti edhe të vogla edhe të mëdha., por është e pakëndshme që të përmenden në këtë moment”, tha Nikollovska.
Sipas ligjeve ekzistuese, partitë financohen prej parave të qytetarëve, që u ndahen në bazë të rezultateve zgjedhore lokale, parlamentare dhe presidenciale. Çdo vit këto para, prej Buxhetit ua transferon Ministria e Drejtësisë dhe të njëjtat mund t’i shfrytëzojnë për punë të rregullt. Pos këtyre parave, partitë kanë të drejtë të sigurojnë edhe prej burimeve private siç janë, janë anëtarësia, donacionet prej personave fizik dhe juridik, prej kredive, donacioneve, apo nëse shesin ndonjë material reklamues, që sipas Antikorrupsionit askush s’e bën, e kështu me radhë.
Të gjitha këto janë për punë të rregullt, të gjitha mjetet mund të shfrytëzohen për financim të fushatës zgjedhore, përveç mjeteve që janë marrë prej Ministrisë së Drejtësisë, pra parave të qytetarëve.
Antikorrupsioni gjithashtu ka vërejtur se janë paguar edhe donacione me vlera më të mëdha se sa e lejon Kodi Zgjedhor.
“Në llogarinë e rregullt mund të pranohet donacion deri në 30 paga mesatare prej personit fizik (17.000 euro), ndërkaq në Kodin Zgjedhor është se jo më shumë se 3.000 euro”, shtoi Nikollovska.
Ajo gjithashtu njoftoi edhe për atë se gjatë procesit zgjedhor kanë bashkëpunuar me IFES – Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore, e cila u ka siguruar mjete financiare dhe i ka përkrahur për angazhimin e 17 vëzhguesve, të cilët gjatë procesit zgjedhor ishin të obliguar që t’i vëzhgojnë parashtresat e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore, në kuptimin ku i organizojnë ngjarjet, si i organizojnë, çfarë materiale reklamuese përdoren që të vijnë deri te vota më tepër, në çfarë mënyrë reklamohen nëpërmjet bilbordeve, ku janë vendosur dhe kështu me radhë.
“Kjo na ishte e nevojshme që të sigurojmë të dhëna se për çfarë partitë harxhojnë para dhe pasi që t’i paraqesin si harxhime, prej ku i kanë siguruar burimet që t’i financojnë këto fushata zgjedhore. Të dhënat do të dërgohen në Entit Shtetëror të Revizionit”, tha Nikollovska.
Personat fizik dhe pjesëmarrësit në fushatë kanë dorëzuar 32 parashtresa për shkelje dhe mosrespektim të nenit 8-a dhe 8-b të Kodit Zgjedhor dhe nenit 34 për Parandalim të Korrupsionit. 5 ankesa janë dorëzuar prej një organizatori të fushatës zgjedhore, 6 ankesa, i klasifikuam si paraqitje pasi që nuk u dorëzuan prej organizatorit të fushatë zgjedhore dhe 21 prej personave fizik. Për të gjitha kërkesat janë shqyrtuar dhe është marrë vendim për të njëjtat, ndërkaq për njërën është shqiptuar dhe masë përkatëse.
Antikorrupsioni njoftoi se raportet për financim të fushatës zgjedhore, partitë politike kanë afat që t’i dorëzojnë deri më 25 tetor. Deri në fund të javës së kaluar, i kanë dorëzuar 7 parti më të vogla, pasi që siç thonë, bëhet fjalë për shuma më të vogla të mjeteve.