Çdo ndërhyrje njerëzore prish habitatet natyrore të florës dhe faunës, por pastrimi i sedimentit nga shtrati i lumit të Drinit të Zi nuk do të shkaktojë ndonjë çekuilibrim të madh të biodiversitetit, por do të zvogëlojë rrezikun e përmbytjeve, konsiderojnë ekspertë të mjedisit.
Shtrati i lumit Drini i Zi në zonën qendrore të qytetit të Strugës këto ditë duket si një kantier ndërtimi me një autostradë të instaluar përgjatë rrjedhës, por është pjesë e zgjidhjes së projektit për rrjedhën e pandërprerë të ujit dhe aksesin në automekanizmat që pastrojnë sedimentin e mbledhur për vite me rradhë.
Projekti zbatohet përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat në pellgun e lumit Drini i Zi, DPHM, Ekonomia Ujore e Maqedonisë, Energjia Elektrike e Maqedonisë dhe disa organizata joqeveritare.
Sipas menaxherit të projektit Nikola Zdraveski, kjo fazë përfshin pastrimin e shtratit të lumit të rregulluar në gjatësinë prej 765 metra dhe ata presin të nxjerrin rreth 14,000 metra kub të sedimenteve.
“Për momentin, po nxirren sasi të mëdha të sedimenteve, të cilat nuk kanë aspekt pozitiv për biodiversitetin ose habitatet. Para aktiviteteve, janë bërë të gjitha hulumtimet e nevojshme dhe janë siguruar të gjitha dokumentet, lejet dhe mendimi në lidhje me studimin mbi ndikimin e mundshëm mjedisor të pastrimit, qëka qenë pozitiv nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, deklaroi Zdraveski për MIA-n.
Aktivitetet, shpjegoi ai, janë realizuar me uljen e nivelit dhe rrjedhës së ujit.
“Bëhet kujdes që të kemi një rrjedhje të vazhdueshme të ujit nga liqeni përgjatë lumit Drini I Zi. Edhe pas pastrimit, shtrati i lumti të mos mbetet pa ujë. Shtrati i lumit duket si një kantier ndërtimi, si një autostradë”, shtoi Zdraveski.
Sipas Emina Rustemoska nga organizata joqeveritare ISIOR, nuk do të ketë cekuilibrime se rioze të botës ujore në lumë.
“Mund të ketë më shumë dëme nëse nuk pastrohet se sa tani që po pastrohet. Uji po shterohej gradualisht, duke lejuar që disa kafshë, të tilla si peshq, bretkosa…, të migronin dhe nuk do të shkaktojë efekte anësore afatgjata. Projekti do të ketë një ndikim shumë më pozitiv sesa negative”, tha Rustemoska.
Profesorët nga Instituti i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës në Shkup, megjithëse nuk janë të njohur në mënyrë konkrete me projektin dhe zbatimin e tij, theksojnë se çdo ndikim i jashtëm mund të çojë në prishjen e një pjese të biodiversitetit.
Për profesorin e algologjisë Zlatko Lefkov, Drini i Zi është një “lum i harruar” për sa i përket kërkimit shkencor.
“Kur bëni rikonstruksione të tilla, duhet të ruhet një minimum biologjik i ujit në mënyrë që bota e gjallë të mbijetojë. Skenari më i keq është ndalimi i plotë i rrjedhës së ujit në lumë, gjë që shpresoj të mos ndodhë”, thotë Lefkov.
Një mendim të ngjashëm ndan edhe kolegia e tij nga Instituti i Biologjisë, profesoresha Milica Ristova. Sipas saj, duke folur me libra, çdo ndërhyrje njerëzore prish habitatin natyror kryesisht të një numri organizmash më të vegjël, bashkësive të plota të bimëve që ekzistojnë dhe janë në ekuilibër natyror.
“Çdo hedhje e sedimenteve e shqetëson habitatin natyror. Sigurisht që do të ndikojë në pjesët e sipërme të këtij sistemi tropikal dhe do të shkaktojë përçarje të plotë të biodiversitetit, shkatërrim të mikro-habitateve dhe të gjitha bashkësive bimore. Nga ana tjetër, kjo depozitë e sedimenteve mund të çojë në daljen e ujit nga shtrati i lumit dhe të shkaktojë dëme të mëdha”, shpjegoi Ristova
Pastrimi i shtratit të lumit Drini I Zi bëhet për herë të parë që nga ndërtimi i tij. Në fazën e parë, u pastrua gryka e Liqenit të Ohrit dhe faza e dytë përfshin rrjedhën nga qendra deri në dalje në Spitalin e Përgjithshëm. Projekti është planifikuar të vazhdojë vitin e ardhshëm me pastrimin e shtratit të vjetër të lumit Sateska.