Presidenti Stevo Pendarovski sot mori pjesë në Forumin e tretë nacional të organizatave qytetare, në organizim të Civika mobilitas, program i Ambasadës zvicerane për mbështetje të shoqërisë civile, zbatuar nga NIRAS (Danimarkë) dhe QMBN.
Duke cekur se është i nderuar që është në mesin e aktivistëve shumëvjeçarë qytetarë të cilët udhë[hiqen nga vizioni për shoqëri të lirë, të drejtë dhe inkluzive, të bazuar në zhvillim demokratik, barazi, sundim të së drejtës dhe bashkëjetesës, presidenti Pendarovski në fjalimin e tij hyrës foli për tre tema, përkatësisht depolarizim, shoqëri të hapur dhe të rinjtë.
Në atë drejtim, presidenti Pendarovski theksoi se tashmë një kohë të gjatë shoqëria e Maqedonisë së Veriut është mjaft e polarizuar, në pothuajse çdo bazë – ndëretnike, brendaetnike, politike, ideologjike dhe ekonomike.
“Gjithnjë e më tepër fokusohemi në atë që na ndan, e më pas si ta anashkalojmë atë që na lidhë dhe që na mban së bashku. Debati politik u reduktua në degradim të kundërshtarit politik. Madje edhe gjatë punësimit, gjithnjë e më tepër dëgjojmë se përparësi i jepet përkatësisë partiake apo etnike të kandidatëve. në vend të karakterit të tyre, arsimit dhe shkathtësive. Kjo plotësisht e përshpejton ikjen e të rinjve, njerëzve me kualifikim të lartë”, nënvizoi presidenti Pendarovski.
Nëse dëshirojmë ta depolarizojmë shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, shtoi Pendarovski, duhet të fokusohemi në disa çështje kyçe, përkatësisht sundimin e së drejtës, përgjegjësi më të madhe politike dhe depolitizim të shoqërisë dhe deetnizim të politikës.
Duke folur për temën për shoqëri të hapur, ai theksoi se shoqëria në të cilën tolerohet urrejtja ndaj cilës do bashkësi, ndaj cilit do individ, e humbë kredibilitetin moral.
“Institucionet e shtetit duhet të gjejnë mënyrë jo vetëm me kujdes t’i dëgjojnë të rinjtë, por edhe t’i kyçin ata në krijimin e politikave dhe sjelljen e vendimeve. Kjo duhet të bëhet përmes dialogut të hapur për atë se çfarë shoqërie dëshirojmë të ndërtojmë jo për ne, por për nipat tanë”, konkludoi presidenti Pendarovski.
Në fokus të çështjeve të organizatave qytetare ishin temat për pandëshkueshmëri të korrupsionit të lartë, vetingut të gjykatësve dhe pastrimit të gjyqësisë për çka Pendarovski tha se është e domosdoshme secili institucion të punojë në mënyrë transparente. Duke folur për këtë temë, siç tha ai, shteti ynë ka legjislaturë solide ligjore, por se është selektues implementimi i ligjeve.
Mes pyetjeve të organizatave qytetare, pati edhe për numrin e madh në administratën publike, që paraqet ngarkesë për buxhetin shtetëror. Në këtë kontekst, presidenti tha se është skeptik sepse do të ulet numri prej rreth 140 mijë të punësuar në administratë.
Lidhur me fillimin e shumëpritur të negociatave me Bashkimin Evropian, organizatat qytetare kërkuan përgjigje nga presidenti Pendarovski lidhur me përbërjen e ekipeve dhe konsensusin politik rreth kësaj ngjarje.
Duke folur për gjendjen e romëve, personave me pengesa, për çështjet gjinore, presidenti Pendarovski theksoi se secili individ, secili institucion mund të kontribuojë me shembullin e vet.
Duke e adresuar problemin e rregullimit të portaleve të internetit, organizatat të cilat punojnë në fushën e mediumeve dhe lirive mediale e pyetën presidentin Pendarovski për modalitetet e mundshme për vetërregullim të mediumeve.
“Mos pritni. Nëse nuk vetërregulloheni, dikush tjetër do t’ju rregullojë dhe nuk do të keni të drejtë të shpreheni lirshëm. Mos lejoni që shteti t’ju rregullojë”, i porositi presidenti Pendarovski.
Lidhur me rëndësinë e organizatave qytetare dhe rolin e tyre në shoqëri, Pendarovski tha se do të donte të shohë aktivizëm më të madh nga ana e tyre. Meqenëse, siç shtoi, ka ndjenjë se në disa vitet e fundit sikur të shpërthejë intensiteti i punës së sektorit joqeveritar. Pres, potencoi shefi i shtetit, më shumë dhe më shpesh ta kritikoni punën tonë.
Përndryshe, në forumin nacional, çdo vit, organizatat qytetare takohen me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe diskutojnë për përvojat e deritanishme dhe mundësitë për bashkëpunim për çështjet e interesit të ndërsjelltë.