Nuk ka marrëveshje të re me Bullgarinë por përforcim i komunikimit të ndërsjellë në të gjitha nivelet, porositi sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Ai përmes profilit në Fejsbuk u prononcua lidhur me pohimet e djeshme të dhëna nga lideri i VMRO-DPMNE-së në opozitë, Hristian Mickoski, se në takimin e Zaharievën në Sofje ka marrë propozim për marrëveshje të re, të ngjashme me Marrëveshjen e Prespës, i cili do të nënkuptojë ndryshime kushtetuese dhe me të cilin do të definohet ekzistimi i kombit dhe gjuhës maqedonase nga viti 1945 deri më sot.
“Lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë dhe rreth vizitës time atje, dua të theksoj se: nuk ka marrëveshje të re, por ka një përforcim të komunikimit të ndërsjellë në më shumë nivele. Diskutuam hapur për të gjitha çështjet që dalin nga Marrëveshja për miqësi; i kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për sigurimin e punës pa pengesë të Komisioneve, për çka edhe kemi dërguar mirënjohje publike për rezultatin e deritanishëm të tyre, si dhe inkurajim për intensifikimin e punës së tyre. Gjegjësisht, Komisioni i Përbashkët i Ekspertëve nesër dhe pasnesër do të mbajë një takim në Shkup, që do të jetë edhe një hap shtesë drejt përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Marrëveshja”, theksoi shefi i diplomacisë.
Osmani potencoi se vizita në Bullgari ishte pozitive, sepse u hapën të gjitha çështjet, u përforcua komunikimi i ndërsjellë, por më e rëndësishmja është se, u riafirmua dëshira e përbashkët dhe interesi i ndërsjellë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Këtë, edhe publikisht e deklarova në Sofje, dhe të njëjtën e konfirmuan Kryeministri Bojko Borisov dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva. Dhe në fund, më lejoni të bëj thirrje për seriozitet dhe pjekuri politike. Marrëdhëniet me fqinjët nuk rregullohen duke vendosur përditshmërish informacione në publik, aq më pak përmes spekulimeve dhe deklaratave tendencioze që synojnë nxehjen e atmosferës. Perspektiva evropiane është një sfidë për gjithë vendin, jo vetëm për Qeverinë, dhe është një detyrim për secilin prej nesh”, theksoi Osmani në publikimin në Fejsbuk.