Qeveria sot duhet të mbajë mbledhje onllajn , në të cilën pritet t’i miratojë masat e reja të propozuara nga Komisioni për sëmundje ngjitëse në mënyrë që të parandalohet përhapja e infektimit për shkak të numrit të madh të të infektuarve nga koronavirusi.
Është propozuar të ndalohet grupimi nëpër shtëpi, në festa familjare, me atë që në një vendbanim do të mund të pranohen deri katër persona. Nuk do të lejohet grupimi i mbi katër personave në hapësira publike pas orës 22:00, ndërsa maska mbrojtëse apo mbulimi i hundës dhe gojës, krahas në hapësira të mbyllura (objekt publik, vend i punës, mjet transportues), do të jetë e obligueshme të mbahet edhe gjatë qëndrimit në ambiente të hapura.
Përjashtim për mbajtje të maskave mbrojtëse është propozuar për fëmijë deri gjashtë vjeç, për persona që sportojnë, gjatë transportit të anëtarëve nga një familje në automjet privat, gjatë uljes në objekte hotelierike me respektim të protokolleve dhe në hapësira zyrtare apo nëse personi është vetëm në ambient.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i kumtoi propozim-masat të enjten pasi që një ditë më parë (7 tetor) në vend pati 317 të infektuar brenda 24 orëve, për herë të parë mbi 300 që prej fillimit të epidemisë. Tha se sipas analizave, përqindje serioze e rasteve të reja janë mu festimet dhe argëtimet nëpër kafene dhe bare ku është më i madh transmisioni i virusit.
Në pyetjen se si do të kontrollohet shkuarja mysafir, Filipçe u përgjigj se pret që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për rrezikun nga grupimi në ambiente të mbyllura.
“Teknikisht dhe formalisht, pas paraqitjes çdoherë mund të intervenojë edhe policia, inspektoratet, por është shumë me rëndësi qytetarët të jenë të vetëdijshëm në periudhën që ndodhet para nesh dhe të evitojnë ngjarje të mëdha familjare. Vjen periudha e festave të cilat janë rrezik i madh. Besoj se qytetarët do të jenë të vetëdijshëm”, tha Filipçe në konferencën për shtyp.
Kryeministri Zoran Zaev pardje paralajmëroi se mbledhja e sotme qeveritare do të mbahet onllajn, edhe pse, për dalim nga Parlamenti, në Qeveri, tha, nuk ka të infektuar me simptome.
“Pas rekomandimit të ministrit Filipçe dhe Komisionit për së mundje ngjitëse, na u tha se në pajtim me numrat duhet të përgatitemi për mbledhje onllajn të Qeverisë”, deklaroi Zaev duke pritur që edhe Parlamenti të sjellë vendim të tillë, siç tha, vendim të matur sepse tashmë janë dy deputetë të infektuar.
Qeveria në ndonjërën prej mbledhjeve që paraprijnë, gjithashtu, duhet ta revidojë vendimin që e solli të martën e kaluar për hyrje të shtetasve nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe BeH në vendin tonë pa test PCR, pasi që re nga këto vende e tërhoqën vendimin nga ana e vet që ishte nismë rajonale sipas parimit të reciprocitetit.
Për shkak të numrit të madh të të infektuarve në rajon, Serbia, Mali i Zi dhe BeH pardje në mesnatë e suspenduan vendimin që edhe nuk filloi të vlejë, kështu që mbetet obligimi për test negativ PCR jo më i vjetër se 48 orë kur udhëtohet në ato shtete. Për shtetasit e Maqedonisë hyrje pa vërtetim mjekësor tani për tani është e lejuar vetëm në Kosovë, Shqipëri dhe Turqi.
Përderisa Qeveria jonë nuk e revidon vendimin në mënyrë reciproke, hyrja tek ne për shtetasit e vendeve nga ish-Jugosllavia të cilat janë jashtë BE-së do të jetë pa test. Dje, në ditën e parë të hyrjes ës lirë në vend, komunikacioni ishte shtuar në kufirin me Kosovën – kolona automjetesh pati në vendkalimin Ballcë dhe lëvizje më të madhe se zakonisht në VK Jazhincë, por jo më shumë frekuentim në VK Tabanoc në kufi me Serbinë.