Trafikimi i njerëzve nuk është vetëm vepër penale me elemente të krimit të organizuar, por shumë më tepër – robëri moderne. Viktimat e trafikimit të njerëzve nuk janë persona pa emër, ata janë në mes nesh, në rrethimin tonë të drejtpërdrejt, shpeshherë kërkojnë në mënyrë dëshpëruese që dikush t’i shpëtojë nga robëria, shprehet mes tjerash në intervistën për MIA-n, sekretarja shtetërore në MPB dhe koordinatore kombëtare e Komisionit kombëtar për luftimin e trafikimit të njerëzve dhe trafikimit të emigrantëve, Magdalena Nestorovska.
Viteve të fundit është gjithnjë e më i madh numri i viktimave vendore të trafikimit të njerëzve, të cilat janë kryesisht të eksploatuara seksualisht, ndërsa janë identifikuar edhe martesa të dhunshme me persona të mitur dhe eksploatim të punës, thekson ajo. Potencon se ajo që brengosë veçanërisht dhe që e alarmon nevojën e veprimit energjik e të gjithë neve është rritja e vazhdueshme e fëmijëve – viktima të trafikimit të njerëzve.
Gjatë vitit të kaluar me dënime të plotfuqishme me burg në kohëzgjatje prej 1 deri 13 vite janë dënuar 50 persona për vepra penale që kanë të bëjnë me trafikimin e njerëzve dhe migrimin e paligjshëm. Sivjet rastet e zbuluara të trafikimit të emigrantëve janë në rritje për 54,4 për qind me ç’rast deri tani janë zbuluar 88 raste, gjatë tentimit për të trafikuar gjithsej 2.700 emigrantë.
Në intervistën Nestorovska flet edhe për rrezikun nga tentimet onlajn për trafikim të njerëzve, për atë se sa kriza e emigrantëve ndikon në rritjen e numrit të personave viktima të trafikimit, për masat që ndërmerren në luftimin e kësaj dukurie dhe parandalimin, për atë se çfarë bëhet për rehabilitimin e këtyre personave, kush mund të punojë me ta në procesin e rehabilitimit të këtyre personave, kush mund të punojë me ta në procesin e rehabilitimit, për vlerësimet e faktorit ndërkombëtar për atë se si shteti ynë përballet në luftën kundër tregtisë me njerëz. Në vazhdim vijon intervista e plotë me Nestorovskën.
Çfarë do të thotë trafikimi i njerëzve, si një nga aktivitetet kriminale më fitimprurëse. Cilat janë gjithë ato forma që janë të njohura?
– Trafikimi i njerëzve nuk është vetëm vepër penale me elemente të krimit të organizuar, por shumë më tepër – shkelje flagrante e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, shkelje të dinjitetit dhe integritetit njerëzor ose e thënë me fjalë të tjera – robëri moderne. Robëri, që fatkeqësisht nuk përfundoi në shekullin 19-të, por vetëm e ndryshoi formën në trafikimin e njerëzve. Viktimat e trafikimit të njerëzve nuk janë persona pa emër, ata janë në mes nesh, në rrethimin tonë të drejtpërdrejt, shpeshherë kërkojnë në mënyrë dëshpëruese që dikush t’i shpëtojë nga robëria. Dhe pikërisht për këtë arsye, të gjithë ne kemi obligim edhe moral edhe ligjor që t’u ndihmojmë, t’i mbrojmë dhe të mos i mbyllim sytë para realitetit të vrazhdë. Në këtë kontekst e shikoj edhe rëndësinë e shënimit të Ditës evropiane për luftimin e trafikimit të njerëzve: ta ngrisim vetëdijen për rrezikun nga trafikimi i njerëzve, por njëherësh t’i dërgojmë porosi secilit qytetar se të gjithë ne jemi pjesë e frontit të gjerë për luftimin e trafikimit të njerëzve, në secilin prej nesh qëndron përgjegjësia që gjithmonë të denoncojë dyshimin për trafikim të njerëzve.
Varfëria, papunësia, dhuna në familje janë disa nga arsyet kryesore që i bëjnë njerëzit të rrezikuar nga trafikimi i njerëzve. Është i pakontestueshëm konstatimi se viteve të fundit është gjithnjë e më i madh numri i viktimave vendore të trafikimit të njerëzve, të cilat janë kryesisht të eksploatuara seksualisht, ndërsa janë identifikuar edhe martesa të dhunshme me persona të mitur dhe eksploatim të punës, thekson ajo. Potencon se ajo që brengosë veçanërisht dhe që e alarmon nevojën e veprimit energjik e të gjithë neve është rritja e vazhdueshme e fëmijëve – viktima të trafikimit të njerëzve.
Jam dakord me ju, e këtë gjithashtu e konfirmojnë edhe analizat dhe raportet tona se, trafikimi i njerëzve është njëri prej bizneseve më fitimprurëse, shpesh i ndërlidhur me trafikimin e emigrantëve, trafikimin e drogës. Vetëm me mënjanimin e motivit kryesor për shkak të cilit trafikantët hyjnë në këtë biznes, e këto janë paratë, mund të krijojmë përgjigje efikase ndaj këtij krimi. Për këtë qëllim, institucionet kompetente në setin e masave për luftimin e trafikimit të njerëzve i përfshijnë edhe hetimet financiare që mundësojnë identifikimin dhe zbulimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.
A është rekrutimi onlajn, gjegjësisht rreziku nga trafikimi është formë e re e sofistikuar e trafikimit të njerëzve?
– Gjithsesi. Mënyra onlajn e rekrutimit të viktimave potenciale të trafikimit të njerëzve nuk është risi duke marrë parasysh se të rinjtë komunikimin e ndërsjellë në të shumtën e rasteve e realizojnë duke përdorur internet, gjegjësisht rrjete sociale dhe aplikacione për telefona “të mençur”, të cilët edhe në të shumtën e rasteve keqpërdoren nga kriminelët, me ç’rast të njëjtit përdorin profile dhe fotografi të rrejshme prej personave të tjerë në mënyrë që të ulet edhe tërheqja e viktimës potenciale.
Ky trend është forcuar me paraqitjen e pandemisë së Kovid-19, e veçanërisht në periudhën kur ishte në fuqi kufizimi i lirisë së qarkullimit, gjegjësisht kur në vendin tonë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Si punon Komision kombëtar për përballje gjegjësisht parandalim të kësaj dukurie?
– Komisioni kombëtar për luftimin e trafikimit të njerëzve në vazhdimësi ndërmerr masa që janë në funksion të përmirësimit të identifikimit të viktimave të trafikimit të njerëzve, sigurimin e ndihmës dhe mbrojtjes së tyre, si dhe zbulimin më efikas të autorëve të trafikimit të njerëzve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. Është formuar që në vitin 2001 në mënyrë që të arrijë nivel më të lartë të efikasitetit dhe veprimit të përbashkët të të gjitha institucioneve të përfshira në luftën kundër trafikimit të njerëzve. Detyra e saj është që të ndjekë dhe analizojë gjendjen me trafikimin e njerëzve dhe emigrimin e paligjshëm, t’i koordinojë aktivitetet e institucioneve kompetente dhe të bashkëpunojë me organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare që janë të përfshira në zgjidhjen e problemeve nga kjo fushë. Në kuadër të Komisionit funksionon një trup ekzekutiv Sekretariat, në përbërjen e të cilit janë anëtarë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqatave civile, ambasadave dhe ekspertë nga institucionet qeveritare. Realizuam një numër të madh të projekteve të suksesshme si rezultat i raportit të partneritetit me organizatat ndërkombëtare. Të gjitha përpjekjet tona kanë kuptimin e tyre nëse shpëtohet së paku një jetë njeriu.
Sa ndikon kriza e emigrantëve në rritjen e rrezikut nga trafikimi i njerëzve?
– Shikuar nga aspekti i sotëm, kriza e emigrantëve kishte evoluimin e saj, ndryshonte dinamika e qarkullimit të emigrantëve, por ndryshonte edhe modusi operandi që i përdornin kriminelët duke keqpërdorur fuqinë dhe dëshpërimin e miliona njerëzve që ishin të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre para shpërthimit të luftës ose varfërisë. Partneriteti i sinqertë, i qëndrueshëm që e kemi ndërtuar me organizatat ndërkombëtare, sektorin joqeveritar ishte momenti kyç që ndihmoi të parandalojmë çfarëdo eskalimi të padëshiruar, por edhe të mbrojmë një numër të madh të emigrantëve. Ia dolëm që para drejtësisë të nxjerrim një numër të madh të kriminelëve, por edhe t’u japim ndihmë, mbështetje viktimave të trafikimit të njerëzve.
Në fakt, këtë e konfirmon edhe statistika. Gjatë vitit të kaluar me dënime të plotfuqishme me burg në kohëzgjatje prej 1 deri 13 vite janë dënuar 50 persona për vepra penale që kanë të bëjnë me trafikimin e njerëzve dhe migrimin e paligjshëm. Sivjet rastet e zbuluara të trafikimit të emigrantëve janë në rritje për 54,4 për qind me ç’rast deri tani janë zbuluar 88 raste, gjatë tentimit për të trafikuar gjithsej 2.700 emigrantë. Sa i përket strukturës së emigrantëve, edhe sivjet në numër më të madh janë shtetasit e Afganistanit, Pakistanit, Bangladeshit dhe Sirisë. Në mesin e emigrantëve të paligjshëm gjatë vitit të kaluar janë identifikuar 14 viktima potenciale të trafikimit të njerëzve. Por realiteti është se ata kanë vetëm një qëllim: të mbërrijnë më shpejtë deri te destinacioni përfundimtar në vendet e BE-së dhe në të shumtën e rasteve nuk janë të vetëdijshëm për rrezikimin dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e trafikimit të njerëzve. Në këtë proces për institucionet kompetente, veçanërisht për MPB-në, ishin veçanërisht të dobishëm indikatorët për identifikim fillestar/preliminar të viktimat e supozuara dhe potenciale të trafikimit në kontekst të lëvizjeve të përziera migruese që ishin përpiluar nën patronazhin e KK-së.
A janë fëmijët më të rrezikuarit nga kriza e emigrantëve në raport me trafikimin e njerëzve?
– Në vitet e para të krizës së emigrantëve (2011-2013) në përqindjen më të madhe emigrantët ishin anëtarë më të rritur të familjeve meshkuj, që kishin për qëllim të etablojnë në vendet e destinacionit dhe të sigurojnë mjete në para dhe kushte për sjelljen e anëtarëve të tjerë të familjeve, vëllezër, motra, bashkëshorte dhe fëmijë.
Ky trend ndryshoi në vitin 2014/2015 ku ishte evident trendi i rritjes së numrit të emigrantëve të moshës së re deri 35 vjeç, rritje të numrit të grave, fëmijëve, e veçanërisht të kategorisë së fëmijëve të pashoqëruar të cilët për arsye të ndryshme kanë ngelur të pashoqëruara nga prindërit, kujdestarët ligjorë ose familjar shoqërues. Kjo kategori e personave paraqet kategori veçanërisht të rrezikuar në bazë të llojeve të ndryshme të eksploatimit dhe keqpërdorimit, e veçanërisht për keqpërdorimin seksual.
Në fokusin e veprimit tonë ishte që të sigurohet interesi më i mirë i fëmijës, i cili në esencë e imponoi nevojën e qasjes multidisiplinore dhe ndërdikasteriale. Për këtë qëllim i miratuam procedurat standarde për veprim me fëmijë të huaj të pashoqëruar, që i definon të gjitha masat që duhet t’i ndërmarrin institucionet kompetente në mënyrë që të mbrohen të miturit e pashoqëruar.
Sipas hulumtimeve dhe informacioneve të Komisionit, a është Republika e Maqedonisë së Veriut vend transitor ose ka raste, kur është destinacion përfundimtar? Për cilat raste më shpesh është destinacion përfundimtar?
– Republika e Maqedonisë së Veriut para së gjithash është vend transitor i trafikimit të njerëzve. Kjo ka të bëjë me pozitën gjeostrategjike që e ka Republika e Maqedonisë së Veriut në Gadishullin Ballkanik, përmes territorit të së cilës kalon njëri prej kanaleve kryesor për trafikimin e emigrantëve, të viktimave të trafikimit të njerëzve, të trafikimit të mallrave të ndryshme të akcizës, drogës dhe armëve, gjë që është në korrelacion edhe me ekzistimin e grupeve të shumta të organizuara kriminale në Rajonin, që janë të karakterit ndërkombëtar, e që në një pjesë ushtrojnë aktivitete kriminale edhe në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në një numër më të vogël/të pakonsiderueshëm Republika e Maqedonisë së Veriut është vend edhe i destinacionit përfundimtar, me ç’rast viktimat potenciale, të cilat në të shumtën e rasteve persona të rinj femra nga shtetet fqinje, eksploatohen përmes punës dhe seksualisht në objektet hoteliere të vendosur në pjesën perëndimore të shtetit, ose përmes martesave të dhunshme të fëmijëve, me persona nga pjesa lindore e shtetit.
A do të mund të na i tregoni të dhënat e fundit statistikore, në mënyrë krahasuese me vitet paraprake për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe nëse keni për rajonin?
– Vitin e kaluar (2019) janë identifikuar 6 viktima femra prej të cilave 3 (tri) shtetase të huaja (4 fëmijë dhe 2 të rritur) viktima të trafikimit të njerëzve (VTNJ). Sivjet (2020) para së gjithash për shkak të Pandemisë me Kovid 19 dhe masat e jashtëzakonshme të miratura nga qeveritë e rajonit në një pjesë të orientuara drejt mbylljes së kufijve shtetërorë – nuk janë identifikuar shtetas të huaj viktima të trafikimit të njerëzve, janë identifikuar vetëm katër fëmijë vendorë femra viktima të trafikimit të njerëzve.
Si shembull i bashkëpunimit me një vend fqinj, do t’i kisha përmendur rastin me shtetasen kosovare, person i rritur, me pengesa në zhvillim, që ishte eksploatuar seksualisht prej personave shtetas të RMV-së, e më pas është shitur dhe detyruar në martesë të dhunshme në pjesën lindore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. E njëjta ishte identifikuar, mbrojtur dhe strehuar në Qendrën për mbrojtjen e viktimave të tregtisë me njerëz dhe dhunës seksuale, pas çka janë informuar shërbimet kompetente të vendit të saj amë. Më vonë ishte kthyer në vendin e saj amë, por pas marrjes së përgjigjes pozitive për vlerësim të sigurisë së rrezikut për kthimin e saj vullnetar.
Si është bashkëpunimi i Komisioni Kombëtar me institucionet kompetente shtetërore, OJQ-të dhe gjithsesi me komisionet rajonale nga vendet fqinje dhe më gjerë që punojnë me trafikimin e njerëzve?
– Në Komisionin kombëtar janë anëtarë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, Inspektoratit të Punës, prokuror publik, gjykatës, Agjencisë për punësim që së bashku me Sekretariatin kanë përpiluar katër Plan vjetor veprimi katërvjeçar për implementimin e Strategjisë për luftimin e trafikimit të njerëzve dhe emigracionit të paligjshëm. Në të janë përfshirë të gjitha aktivitetet e përbashkëta që duhet të realizohen në drejtim të tejkalimit të trafikimit të njerëzve dhe ndihmë për personat tashmë të prekur.
Krahas shtrirjes së këtillë, në bazë të iniciativës së KK në vitin 2018 është formuar Njësia kombëtare për luftimin e trafikimit të emigrantëve dhe trafikimit të njerëzve. Njësia është udhëhequr nga prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e në të janë anëtarë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme. Prej formimit të saj është arritur përparim në luftimin e trafikimit të njerëzve, gjë që është perceptuar nga partnerët e huaj dhe Bashkimi Evropian.
Gjithashtu, është nënshkruar edhe Memorandum i mirëkuptimit mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale sipas të cilit janë formuar 5 ekipe të lëvizshme për identifikimin e kategorive të personave të rrezikuara, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe viktimat e trafikimit.
Në garën e tyre për fitim më të madh, kriminelët janë të bashkuar, duke mos njohur kufij, nacionalitete, fe. Modus operandi i tyre vetëm e konfirmon vetëdijes tonë se nevojitet përgjigje e koordinuar për luftimin e trafikimit të njerëzve në plan ndërkombëtar. Për këtë arsye, vitin e kaluar Komisioni kombëtar inicioi dhe në mënyrë vijuese nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim në këtë fushë me Bullgarinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Serbinë, ndërsa janë filluar bisedimet edhe me Greqinë.
Bashkëpunimi me vendet e rajonit, por edhe me gjithë bashkësinë ndërkombëtare është faktor kyç në përballjen me këtë problematikë me përmasa të mëdha.
Sa është dallimi mes viktimave potenciale dhe viktimave të identifikuara të trafikimit të njerëzve? Si mund të dallohen ato?
– Personat të cilët janë viktima potenciale ose tashmë kanë qenë viktima të trafikimit të njerëzve janë shumë të rrezikuar dhe shpesh druajnë të flasin për këtë temë. Nevojitet qasje e veçantë me të cilën këtyre personave do t’u bëhet e ditur se prej tani e tutje do të ketë kush të kujdeset për ta dhe sërish të integrohen në shoqërinë normale dhe rrjedhën normale të jetesës. Personat zyrtarë të cilët kanë kontakt me ta kanë kaluar një varg trajnimesh dhe ligjëratash se si të dallojnë ndonjë formë të trafikimit të njerëzve.
Më duhet të theksoj se jo çdo viktimë potenciale është viktimë e trafikimit të njerëzve. Këta janë persona për të cilët ekzistojnë indikacione se janë viktima të trafikimit të njerëzve, por të cilët formalisht nuk identifikohen nga organet kompetente ose që kanë refuzuar të jenë të identifikuar formalisht. Te viktimat potenciale të trafikimit të njerëzve në të shumtën e rasteve mungon elementi i detyrimit ose nuk ka numër të mjaftueshëm të dëshmive që të jenë formalisht të identifikuar. Në esencë viktimat potenciale të trafikimit të njerëzve i kanë të drejtat e njëjta si edhe viktimat e trafikimit të njerëzve.
Pikërisht për këtë arsye, në mënyrë që të dallohen herët personat që janë viktima potenciale të trafikimit të njerëzve, Komisioni kombëtar ka miratuar indikatorë për identifikimin e viktimave të trafikimit të njerëzve. Indikatorët ndahen në të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, derisa ata të drejtpërdrejtët janë të përgjithshëm dhe specifik. Setin e indikatorëve e përdorin dhe shërben si udhërrëfyes praktik i personave zyrtarë dhe përfaqësuesve të organizatave që realizojnë kontakt me viktima potenciale ose viktima të trafikimit të njerëzve.
A ka raste që tani janë në rehabilitim ose që janë rehabilituar tashmë pas tentimeve të përjetuara ose rasteve të trafikimit të njerëzve? A ka dhe cilat janë qendrat e tilla për rehabilitim në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka Qendër të specializuar për viktima të trafikimit të njerëzve dhe dhunës seksuale që është në ombrellën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, e në të sigurojnë shërbime Shoqata civile Portë e Hapur. Viktimat e trafikimit të njerëzve kanë opsione të arritshme për reintegrim, si dhe spektër të gjerë të shërbimeve për integrim social, këshillim psikologjik, edukim, këshillim dhe mbështetje juridike, trajnime profesionale, kurse, mbështetje shëndetësore, mbështetje për ribashkim me familjen, etj.
Cilat janë të drejtat e personave të cilët kanë qenë viktima të trafikimit?
– Në mënyrë që të sigurohen të drejtat e personave viktima të trafikimit të njerëzve, janë përpiluar Procedura standarde operative për veprim me viktima të trafikimit të njerëzve në të cilat janë rregulluar veprimet, procedurat dhe mënyrat e sigurimit të ndihmës dhe mbrojtjes për të gjitha viktimat e trafikimit të njerëzve. Mirëpo, në çdo rast konkret programet për ndihmë dhe mbrojtje përshtaten në përputhje me nevojat individuale të viktimës. Për secilën viktimë të veçantë të trafikimit të njerëzve krijohet plan i veçantë për ndihmë.
Në mënyrë që të evitohet ndikimi i sërishëm i mundshëm te viktima nga autorët e veprës penale, viktimës i ofrohet periudhë e vendimmarrjes, gjegjësisht reflektimit, periudhë në të cilën e njëjta duhet të vendosë nëse do të bashkëpunojë me organet kompetente.
Gjatë kësaj periudhe, viktima ka të drejtën e akomodimit përkatës, ndihmës mjekësore, psiko-sociale, materiale, përkthimit në gjuhën që e kupton, këshilla juridike, të drejtën e arsimit, procedura përkatëse gjyqësore dhe administrative, si dhe të drejtën e azilit, mundësi dhe procedurë për kthim në vendin shtetas i të cilit është.
Në procesin e rishoqërizimit të viktimës sigurohet akomodim i sigurt – banim, këshillim psikologjik, mbrojtje shëndetësore dhe ndihmë juridike.
Në procesin e reintegrimit viktimës i sigurohet kthim i sigurt në familjen ose forma të tjera alternative, mbrojtje sociale dhe fëmijërore, arsim dhe ndihmë gjatë punësimit.
Do të doja t’u shpreh falënderim të madh organizatave ndërkombëtare që përmes donacioneve sigurojnë mjete për ndihmë të drejtpërdrejt të viktimave të trafikimit të njerëzve, si për shembull Fondi i IOM-së i cili ofron ndihmë psikologjike dhe mjekësore, sigurim të ushqimit dhe lloj tjetër të ndihmës për viktimat, qasje deri te rishoqërizimi dhe reintegrimi, si dhe kthim vullnetar të shtetasve të huaj në vendet e tyre. Ekipet e lëvizshme e përdorin këtë fond për nevojat e viktimave të identifikuara, mbrojtjen dhe reintegrimin e tyre, si dhe për viktimat potenciale të trafikimit të njerëzve.
Çfarë propozimesh të reja presim në drejtim të forcimit të luftës me trafikimin e njerëzve? Ku gjendet Republika e Maqedonisë së Veriut në një shkallë në luftimin e trafikimit të njerëzve krahasuar me vendet tjera të Ballkanit?
– Sfida e radhës para të cilës jemi drejtuar është miratimi i Ligjit për pagesën e kompensimit në para të viktimave të veprave penale në të cilat bëjnë pjesë edhe viktimat e trafikimit të njerëzve. Në këtë mënyrë, duam t’u mundësojmë viktimave integrim më të shpejtë dhe më efikas me shoqërinë.
Përveç kësaj, punojmë në miratimin e Strategjisë së re për luftë kundër trafikimit të njerëzve dhe emigracionit të paligjshëm që do t’i përkufizojë prioritetet për katër vitet e ardhshme.
Si e vlerësoni faktorin ndërkombëtar, angazhimin e shtetit në luftën kundër trafikimit të njerëzve?
– Shteti është i përkushtuar në zbatimin e suksesshëm të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë, siç janë rekomandimet e Këshillit të Evropës në raportet GRETA për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprim kundër trafikimit të njerëzve dhe raportet për trafikim të njerëzve të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Shtrirja e strukturave koordinuese (Komisioni Kombëtar për Luftë kundër Trafikimit të Njerëzve dhe Emigracionit të Paligjshëm, Sekretariati i saj, Zyra e Mekanizmit Kombëtar për Udhëzim – MKU, si dhe Zyra e sapovendosur e Raportuesit kombëtar në kuadër të avokatit të popullit) është vlerësuar nga faktorët relevantë me notën më të madhe, bashkë me bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe aktivitetin për ngritjen e vetëdijes publike për fenomenin e trafikimit të njerëzve dhe emigracionit të paligjshëm. Pozitive janë edhe rezultatet në fushën e identifikimit dhe udhëzimit të viktimave, veçanërisht pas formimit të ekipeve të lëvizshme dhe Njësisë kombëtare Task Force, që funksionojnë vetëm në luftimin e këtij lloji të krimit.
burim: mia.mk