Maqedonia e Veriut është mes tre vendeve të para në botë me rënie më të madhe procentuale të shkallës së foshnjave të lindura të vdekura (62) në periudhën mes viteve 2000 dhe 2019 dhe tregon rezultate më të mira në Evropë, Amerikë të Veriut, Australi dhe Zelandë të Re, tregojnë të dhënat e UNICEF-it.
Analiza e të dhënave është përfshirë në Raportin i cili tregon se shkalla e foshnjave të lindura të vdekura në Maqedoni të Veriut ka shënuar rënie prej 10,8 foshnja të vdekura në gjithsej 1.000 lindje në vitin 2000, në 6,2 në vitin 2009 dhe në 4,1 në vitin 2019.
“Në Maqedoni të Veriut, UNICEF-i së bashku me Organizatën botërore të shëndetësisë (OBSH) dhe Fondin e KB-së për popullatë (UNFPA) e mbështesin Ministrinë e Shëndetësisë që t’i përforcojë kapacitetet e punonjësve shëndetësorë për kujdes efektiv perinatal, ta modernizojë sistemin nacional për grumbullim të të dhënave, dhe të sigurojë kujdes adekuat prenatal, kontrolle dhe vizita për të gjitha gratë shtatzëna në vend – posaçërisht për gratë që jetojnë në mjedise rurale. Gjatë tre viteve të shkuara, vendi investoi në përmirësimin e sistemeve për transport me qëllim që të sigurohet qasje dhe transfer i shpejtë drejt reparteve për kujdes intensiv neonatal në rast të komplikimeve dhe e mbështeti Grupin nacional për vdekje perinatale të zbatojë revizione sistematike të rasteve të vdekjes perinatale”, thuhet në kumtesën e sotme nga Zyra e UNICEF-it në Shkup.
Në të shtohet edhe se është përpunuar Plan i përgjithshëm (master) për kujdesin perinatal deri në vitin 2030, i cili përfshin plane për përforcim të mëtutjeshëm të sistemit shëndetësor dhe sigurim të shërbimeve më të mira për gratë shtatzëna dhe foshnjat e sapolindura.