Qeveria ka dorëzuar projektligj për regjistrim në Kuvend edhe atë në formë identike siç ishte në procedurën parlamentare në përbërjen e mëparshme parlamentare. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq pret që edhe opozita ta mbështesë ligjin dhe të miratohet me kohë në mënyrë që regjistrimi të mbahet në prill të vitit të ardhshëm.
“Regjistrimi i fundit i popullsisë në vendin tonë është mbajtur në vitin 2002. Kjo është 18 vjet më parë, kështu që ne jemi i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që akoma nuk ka mbajtur regjistrim në një distancë të tillë kohore me një ndryshim të tillë kohor. Prandaj, Qeveria mbeti në tekstin e ligjit që tashmë e kishte dorëzuar në Kuvend më herët. Pra, ne mendojmë se kemi ndërtuar një sistem në të cilin nuk do të ketë Komision Shtetëror të Regjistrimit, por i gjithë procesi do të zhvillohet përmes Entit të Statistikave. Ne kemi një situatë në të cilën do të përdoren të gjitha instrumentet moderne në dispozicion për numërimin dhe ne konsiderojmë se kjo është një bazë e mirë dhe një tekst i mirë i ligjit që mund dhe duhet të kalojë në Kuvend me mbështetjen e shumicës”, tha ministri Mariçiq në konferencën e sotme për shtyp duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Sipas tij, çdo vonesë e mëtejshme në procesin e bisedimeve, negociatave dhe rihapjes së tekstit të ligjit mund të çojë vetëm në një vonesë të re në operacion.
“Mundësia e vetme dhe mundësia më e mirë që regjistrimi të zhvillohet dhe të ndodhë në vitin 2021 është të zhvillohet në pranverë, më saktësisht në prill sepse ne e dimë që në tetor të vitit të ardhshëm kemi zgjedhje të rregullta lokale dhe është e pamundur të bëhet regjistrimi në vjeshtë. Ne kemi vendim të koalicionit, vendim të qeverisë që është mirë të mbahet ai regjistrim në pranverë dhe kjo është arsyeja pse ne qëndrojmë në atë projektligj që e propozuam në Kuvend. Ne besojmë se opozita do të jetë e arsyeshme dhe se ajo do ta kuptojë nevojën dhe domosdoshmërinë e miratimit të këtij ligji shpejt, në një kohë të shkurtër në mënyrë që të mund ta kryejmë regjistrimin në pranverë”, tha ai.
Lidhur me dispozitat që i referohen afateve që tashmë kanë skaduar, sepse ato ishin të vlefshme në kohën kur u dërgua teksti ligjor, Mariçiq theksoi se në bashkëpunim me deputetët, përmes ndryshimeve do të përpiqen t’i korrigjojnë ato afate në mënyrë që ligji të funksionojë dhe kur do të miratohet të realizohet regjistrimi në prill 2021.
“Pra, ne nuk do ta kthejmë atë tekst përsëri në procedurat qeveritare dhe ne besojmë se këto pak ndryshime të vogla mund të ndodhin me ndërhyrjet e ndryshimeve në tekstin e ligjit në Kuvend”, tha ministri i Drejtësisë.