Kategoritë

SHOQËRI Pandemia nuk i ndalon të rinjtë që të largohen nga Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut është radhitur në vendin e tretë në Evropë, në një listë të publikuar nga The Economist, sa i përket ikjes së të rinjve nga vendi të cilët kanë përgatitje profesionale në lëmi të caktuar.

Guxim Nuhiu, aktivist për të drejtat e të rinjve, thotë se pandemia e koronavirusit, përkatësisht izolimi, ka ndikuar në vetëdijesimin e të rinjve se sistemi në Maqedoninë e Veriut iu ofron pak mundësi atyre që të pavarësohen financiarisht nga prindërit.
“Në bazë të statistikave që dolën nga sindikatat e punës, nga numri i atyre që kanë humbur punën, i përkasin moshës nën 29-vjeçare. Ky fakt flet shumë, por edhe ajo se të rinjtë gjatë kohës së pandemisë nuk kanë mundur të gjejnë punë ndërkohë që pjesa më e madhe të rinjve ende jetojnë me familjen e tyre. Kjo tregon se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë të pavarësohen, pra kryesisht varen nga familja”, thotë Nuhiu.
“Kjo bën që të rinjtë si mundësi për pavarësim ta shohin largimin nga vendi, ku do të mund të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar një jetë për vete”, shtoi ai.

Nuhiu për Radion Evropa e Lirë thotë se për të rinjtë shumë shqetësuese mbetet ndërhyrja e politikës në avancimin profesional të tyre.
“Me miqtë e mi, të cilët janë larguar nga Maqedonia e Veriut, tani gjatë kontakteve mësoj se për ta çlirim shumë i madh paraqet ngritja profesionale e cila nuk është e varur nga politika. Atje në vendet evropiane, ku kanë filluar jetën, respektohet sistemi i meritokracisë”, tregon ai.
Ndërkaq, kryetarja e Forumit Rinor për Arsim, Stefania Spirovska në një intervistë për Radion Evropa e lirë thekson se sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut nuk arrin t’u përgjigjet kërkesave të tregut të punës, andaj të rinjtë perspektivën e shohin jashtë vendit, ku dhe mund të specializohen për lëmi të caktuara.

“Përfundimisht duhet të jetë modernizimi i materies që mësohet në arsim, të kemi programe të cilat do t’i nxisin nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike, për shkak se ne ndër vite nuk pamë programe të tilla. Nëse e krahasojmë sistemin arsimor që e kemi tani me sistemin arsimor që e kemi pasur para 30 vjetësh, pothuaj se është e njëjta mënyrë në të cilën mësohet. Kështu që, modernizim të materialit dhe përfundimisht investim më i fuqishëm te profesorët, për shkak se për momentin po shohim se barra tërësisht bartet tek ata, fajin e kërkojmë tek ata për shkak se ata e zbatojnë mësimin, por na mungon investimi konstant dhe puna me profesorët dhe me kuadrot arsimore” thotë Spirovska.

Hulumtimet e viteve të fundit të bëra nga organizatat e të rinjve kanë nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e të rinjve perspektivën e tyre e shohin jashtë Maqedonisë së Veriut, përderisa një e treta e të rinjve marrin veprime konkrete për t’u larguar nga vendi.

 

burim: https://www.evropaelire.org/

Leave a Comment

You must be logged in to post a comment.