Forcohen masat e buta që të mos ashpërsohen ato restriktive. Ky është qëllimi i masave të fundit, sqarojnë burime nga Qeveria.
Në planin e paralajmëruar nga kryeministri Oliver Spasovski, për zbutjen e masave pas 1 majit parashihet që maskat të zëvendësojnë orën policore. Mbajtja e maskave me rregull nga qytetarët do të krijojë kushte për zvogëlimin e kohëzgjatjes së orës policore.
Po përforcohen masat e buta në mënyrë që të mos ashpërsohen ato restriktivet. Në rrjedhë janë përgatitjet për zbutjen e restriksioneve. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Që të sigurohet zbutja, duhet paraprakisht të gjithë së bashku ta sigurojmë mbrojtjen – maska/shamia, dy metra distancë, mosgrupim. Qëllimi nuk është të ndëshkohet, por të sigurohet respektim sa më i gjerë i masave, nga të gjithë, brifojnë nga Qeveria.
Mbajtje e detyrueshme e maskës, shamisë, shallit apo çfarëdo qoftë për t’u mbuluar goja dhe hunda, nga e mërkura fillon në Prilep, Kumanovë dhe Tetovë. Qëllimi është të krijohen kushte për më shumë lëvizje, e më pas të garantohet mbrojtja. Nga Qeveria paralajmërojnë se së pari do të japin vetëm vërejtje, e më pas dënime. Nëse vjen deri te shqiptimi i dënimit, policia do të ketë obligim të ketë fotografi me të cilën do ta arsyetojë dënimin e mandatit, shtojnë nga Qeveria. Qëllimi është të mos jepet mundësia për dënime pa mbulesë.
Lidhur me zbutjen e masave restriktive në territorin e tërë shtetit, kjo do të zhvillohet në disa faza. Po bëhen plane që të ulet kohëzgjatja e orës policore por detyrimisht të gjithë do të duhet të mbajmë maska/shami ndërkaq mbeten edhe masat për ndalesë të grupimeve dhe distanca e detyrueshme prej dy metrave. Nga Tetova, Kumanova dhe Prilepi do të bëhen vlerësimet për realizimin e këtyre masave edhe në tërë territorin e vendit. Nëse në këto tre qytete kjo masë respektohet me sukses atëherë do të implementohet edhe në qytetet e tjera dhe në fazën e parë do të zvogëlohet periudha e kohëzgjatjes së orës policore.
Faza e dytë që pritet të fillojë pas 15 majit parasheh edhe hapjen e kafeneve dhe restoranteve por me kapacitet prej vetëm 20% dhe me përdorim të masave mbrojtëse. Por edhe faza e dytë do të varet nga suksesi i fazës së parë të lehtësimit të masave aktuale.