Qytetarët e Kërçovës nuk kanë nevojë për shqetësim dhe panik tha kryetari i kësaj komune, Fatmir Dehari, pasi sot në statistikat e Institutit për Shëndet Publik, u konfirmua edhe rasti i pari i infektuar me Covid 19 në këtë qytet. Dehari për Televizionin 21 dha detaje mbi personin e infektuar.
“Kemi të bëjmë me një qytetar të larguar nga qyteti ynë më 20 shkurt të këtij viti, në drejtim të Francës, pra faktikisht afër 3 muaj, me punë të përkohshme në traget në Francë dhe i kthyer më 10 prill, që i bie para 4 apo 5 ditëve. Bisedohet për qytetarë të Kërçovës por në këtë rast për fatin tonë i larguar gati 3 muaj më parë”, tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërcovës.
I pari i Kërçovës tha se personi i infektuar me Covid-19 nuk ka pasur kontakt me qytetin dhe me asnjë banorë të Kërçovës, sepse i njëjti ka pasi është kthyer menjëherë është vendosur në karantinë shtetërore. Dehari deklaroi se në komunikimin me të gjitha organet kompetente, ende nuk ka asnjë shenjë të virusit në Kërçovë. Ai mbetet në kërkesën e tij për ta shpallur Kërçovën qytet steril.
“Ideja ime u bazua nga kërkesat, mendimet dhe këshillat që i kam marrë nga mjeket dhe personalitete tjera dhe vazhdoj të qëndrojë me idenë dhe në logjikën se mund të ja dalim duke marrë masa shtesë për qytetin tonë, pra me vendosjen e postblloqeve dhe kontrollimin e qytetarëve që do të vinin nga qytete tjera drejtë Kërçovës “, tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërcovës.
Dehari shpjegon se më këtë ide mund të shpëtohet biznesi dhe ekonomia lokale, sepse siç tha për shkak të virusit korona, ekonomia lokale bie çdo ditë dhe rreth diku 150 kafene dhe restorante janë të mbyllura. /TV21/