Në seancën e djeshme, Qeveria shqyrtoi dhe miratoi Informacionin e Bankës Zhvillimore të Republikës së Maqedonisë të Veriut për pakon e dytë të kërkesave të aprovuara nga aplikacionet e përpunuara të kompanive që plotësojnë kushtet dhe kriteret për kredi pa interes nga Thirrja publike nga pakoja e parë e masave ekonomike.
Siç kumtuan nga Qeveria, sipas këtij informacioni, edhe 118 kompani të tjera me 1.116 të punësuar u miratuan të shfrytëzojnë kredi pa interes në shumën e përgjithshme prej 936.602 euro.
Në grupin e parë dhe të dytë, janë aprovuar gjithsej 254 aplikim kredish në shumën e përgjithshme prej 2,2 milion euro, për ndërmarrjet me 2.853 të punësuar. Sipas strukturës, nga aplikimet e përgjithshme të aprovuara kreditore, mikro kompanitë me deri në dhjetë të punësuar përbëjnë 69 për qind, kompanitë e vogla me deri në 50 punonjës përbëjnë 28 për qind, ndërsa kompanitë e mesme deri në 250 punonjës përbëjnë deri në 4 për qind.
Dorëzimi i informacionit me aplikim kredish që plotësojnë kërkesat ndaj Qeverisë do të bëhet rregullisht, në baza javore, derisa plotësisht të thithen mjetet nga linja e kreditore Kovid 1. Deri më tani, Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut ka pranuar më shumë se 1.050 aplikime kreditore në vlerë prej 7,5 milion euro.