Lidhur me manipulimin dhe dezinformatat të cilat dolën në disa “media” të caktuara, Qyteti i Shkupit përmes kumtesës i informon qytetarët se vendimet për tatimin e pronës dhe taksën e kompanisë të cilat tani mbërrijnë përmes postës në adresat e tyre janë dërguar para se të ndodhë epidemia e koronavirusit në shtetin tonë, por për shkak të gjendjes së sapokrijuar nuk do të ndërmarrë masa plotësuese ndaj taksapaguesve, për çka opinioni, thuhet, është informuar në kohë.
“Qyteti i Shkupit, në pajtim me dispozitat e Ligjit për tatimin e pronës dhe Ligjin për taksa komunale, në fillim të muajit mars si edhe çdo vit filloi me procesin e dorëzimit të vendimeve për tatimin e pronës deri tek të gjithë personat fizik dhe juridik në territorin e Qytetit të Shkupit, si edhe vendimet për taksën komunale deri tek të gjithë personat juridik të regjistruar në territorin e Qytetit të Shkupit. Njëherësh, janë dorëzuar edhe vërejtje për vendime të papaguara për tatimin e pronës dhe taksës për kompanitë për vitin 2019 për të gjithë taksapaguesit, të cilët nuk i kanë shlyer borxhet për vitin 2019, por për të cilat nuk do të veprohet derisa vejnë rekomandimet e Qeverisë”, thuhet në kumtesë.
Nga Qyteti i Shkupit, edhe njëherë nënvizojnë se nuk do të ndërmarrin kurrfarë masash plotësuese, duke e përfshirë edhe pagesën e obligueshme, ndaj të gjithë taksapaguesve në Shkup që kanë borxhe të pashlyera, derisa vlejnë rekomandimet dhe masat e Qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa kanë të bëjnë me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.