Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se pas rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse, Qeveria në mbledhjen e sotme vendosi që të mbyllë të gjitha çerdhet, shkollat dhe institucionet tjera arsimore. Filipçe gjithashtu njoftoi se do të lirohet nga puna njëri prej prindërve që kanë fëmijë deri në moshën 10 vjeçare me qëllim që të kujdesen për fëmijët, kjo masë vlen që nga sot përfshi këtu edhe për të punësuarit në kompani private. Ministri i Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se së shpejti priten të arrijnë edhe 2 aparate për frymëmarrje në Klinikën Infektive.
“Një prind i një apo më shumë fëmijëve deri në moshën 10 vjeçare do të lejohet të mos shkoj në punë dhe kjo do të paguhet në afat prej 14 ditëve për shkak se duhet të kujdesen për fëmijët, ne do të informojmë ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Kemi kapacitete në Klinikë, janë plotë 8 bokse që kanë makineri për frymëmarrje, ndërkohë kemi porositur edhe 2 makineri për frymëmarrje që do të arrijnë së shpejti ndërsa dhe 5 tjera do të vijnë në të ardhmen”-tha mes tjerash Filipçe./Alsat/