Është shpallur gjendje krize dhe janë shtuar forcat edhe të Armatës edhe të policisë në kufirin jugor. Shteti nuk do të lejojë hyrje të emigrantëve, sepse kjo është politikë e të gjitha shteteve në tërë rajonin, deklaroi sot kryeministri Oliver Spasovski.
I pyetur nëse Qeveria ka plan lidhur me emigrantët pas deklaratës së presidentit serb për mbyllje hermetike të kufirit, Spasovski tha se është e dukshme që transiti tashmë nuk është opsion.
“E dini se tashmë kemi shpallur gjendje krize, se janë shtuar forcat edhe të Armatës edhe të policisë në kufirin jugor. Në bazë të të gjitha informatave që i marrim nga shërbimet tona, nga shërbimet partnere, situata po ndiqet. Tani për tani është stabile dhe nuk kemi kurfarë rritje të emigrantëve të cilët do të mund të tentojnë të hyjnë në territorin e RMV-së, megjithatë, qëndrimi është se do të kemi zero tolerancë”, deklaroi Spasovski.
Ai përkujtoi se deri më tani shteti ka pasur politikë në të cilën emigrantët vetëm kanë transituar nëpër territorin tonë dhe se kemi vetëm dy qendra transitore, si dhe se shteti politikën e vet lidhur me krizën e emigrantëve e ndërton në dy baza.
“Njëra bazë është politika evropiane në pjesën e përballjes me emigrantë dhe e dyta, bashkëpunimi rajonal, përkatësisht politika e cila është e përbashkët e shteteve të rajonit. Sepse nuk ka përballje me çfarëdo vale emigrantësh nëse të gjithë së bashku nuk sjellim qëndrime, vendime të përbashkëta, dhe nuk bashkëpunojmë mes veti”, tha Spasovski.