Dëshmitarët e fundit të propozuar nga Bojan Jovanovski – Boki 13, i akuzuar i parë në rastin “Reket”, duhet të dëgjohen në seancën e sotme për këtë lëndë gjyqësore.
Në seancën e fundit dëshmuan stilisti, Sergej Varoshlija, pronarja e optikës, Maria Jankovska dhe pronari i galerisë, Aleks Kërtov. Duhej të dëgjoheshin edhe Vlladimir Todoroviq, Dejan Pandeleski dhe Jovçe Remenski, por u tërhoqën nga mbrojtja, ndërsa dëshmitarja Lidia Janevska parashtroi dokumentacion mjekësor se është nën stres dhe nuk mund të dëshmojë.
Këtë rast, ku e akuzuar është edhe ish-prokurorja speciale Katica Janeva, e udhëheqë gjykatësja Vaska Nikollovska – Masevska, përderisa aktakuzën e përfaqëson prokurorja Villma Ruskoska.
I akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “larje parash dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale” dhe për “pranim të shpërblimit për ndikim kundërligjor”. E akuzuara e dytë Janeva ngarkohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Në seancën e parë për rastin “Reket”, që u mbajt më 3 dhjetor të vitit të kaluar, i akuzuari i tretë Zoran Milevski – Kiçeec pranoi fajin për veprën “pranim i shpërblimit për ndikim kundërligjor”, pas çka u dënua me tre vite burg. Aktvendimi kundër tij ende nuk është fuqiplotë sepse mbrojtja paralajmëroi ankesë para Gjykatës së Apelit në Shkup.