SHBA-NASA: Ngadalësimi ekonomik i Kinës nga COVID-19 ul nivelet e ndotjes
Imazhet satelitore kanë treguar një rënie të dukshme të niveleve të ndotjes në Kinë, pjesërisht për shkak të një ngadalësimi ekonomik pas shpërthimit të koronavirusit të ri, tha sot agjencia hapësinore amerikane, NASA.
Imazhet nga NASA dhe Agjencia Europiane e Hapësirës tregojnë se si nivelet e dyoksidit të azotit – një gaz i dëmshëm i emetuar nga automjetet motorike dhe objektet industriale – u ul në shkurt në krahasim me janarin, përpara se autoritetet të vendosnin masa bllokimi.
Shkencëtarët e NASA-s thanë se ulja e niveleve të dyoksidit të azotit ishte e dukshme së pari pranë qytetit të Wuhan, ku filloi shpërthimi, por më pas u përhap në të gjithë vendin.
Agjencia hapësinore amerikane vuri në dukje se rënia përkoi me transportin dhe kufizimet e biznesit, ndërkohë që miliona njerëz hynë në karantinë.
“Kjo është hera e parë që kam parë një përmbysje kaq dramatike mbi një zonë kaq të gjerë për një ngjarje specifike”, tha Fei Liu, një studiues i cilësisë së ajrit në NASA.//ATSH