Lëvizja BESA është partia e parë shqiptare, e cila e ka tejkaluar konceptin e amortizuar – votat etnike të përdoren si shifër për kalkulime pastzgjedhore për pjesëmarrje në koalicione qeveritare, porositi sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas zyrtarizimit të koalicionit parazgjedhor LSDM dhe BESA për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme, të caktuara për më 12 prill. Si ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga ana e tij e vlerësoi Bilall Kasami, nënshkrimin e koalicionit parazgjedhor.
LSDM dhe Lëvizja BESA sot në Muzeun e artit bashkëkohor e zyrtarizuan marrëveshjen parazgjedhore për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara më 12 prill. Liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Bilall Kasami i kanë harmonizuar qëndrimet rreth programit dhe bartësve të listave zgjedhore. Ata kanë nënshkruar Deklaratën për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 12 prillit. Për herë të parë në historinë e pavarësimit të Maqedonisë është arrit koalicion parazgjedhor mes partive nga tabori maqedonas dhe ai shqiptar.
“Shoqëria jonë ndërrohet për të mirë, koncepti qytetar një shoqëri për të gjithë i fiton stereotipet, koha e ndarjes shkon në histori. Sot koncepti monoetnik kur partitë drejtohen vetëm në kampin e tyre ose në atë etnik është i dështuar”, tha Zaev.
Lideri i LSDM-së theksoi se në familjen e anëtareve të plotfuqishme të BE-së dhe NATO-s hyhet me vepra dhe vizion dhe shtoi se në zgjedhjet në vitin 2016 LSDM-ja ka qenë partia e parë maqedonase, e cila me parimet e saj tërhoqi dhjetëra mijëra vota shqiptare.
“Por ky është akt i veçantë, moment i ri historik për demokracinë dhe për pluralizmin. LSDM-ja sot e publikon koalicionin parazgjedhor me Lëvizjen BESA”, tha Zaev dhe shtoi se me këtë hap të tyrin e konfirmojnë karakterin multietnik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shtoi se punojnë në ndërtimin e shoqërisë, e cila mbështetet në barazi, drejtësi, shoqëri për të rinj, të moshuar, për maqedonasit, shqiptarët, romët, turqit, serbët, vllehët, boshnjakët, gratë, burrat….
Paralajmëroi se janë fitues të sigurt më 12 prill. “Dhe këtë të gjithë e kanë të qartë, ky koalicion më 12 prill do të fitojë shumicë votash për formim të qeverisë. Kjo është e qartë edhe për ne edhe për të gjithë oponentët politikë”, tha Zaev.
Si ditë mjaft historike për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e vlerësoi Kasami nënshkrimin e koalicionit parazgjedhor.
“Sot është ditë e rëndësishme dhe historike për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për herë të parë në historinë tonë, shqiptarët ndërtojnë partneritet të vërtetë me partinë qeveritar, edhe atë si partner i plotë dhe i barabartë të vendosin së bashku për të ardhmen e vendit tonë”, tha lideri i BESË-s.
Theksoi se me marrëveshjen e sotme mes Lëvizjes BESA dhe LSDM-së, presin që votuesit shqiptarë ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike të jenë anëtar aktiv i koalicionit qeveritar.
“Ky koalicion është vazhdim i trenit të NATO-s, i cili do të na anëtarësojë edhe në BE”, shtoi Kasami.
Në Deklaratën e përbashkët për pjesëmarrje të përbashkët të LSDM-së dhe Lëvizjes BESA është theksuar se ajo firmoset në frymën e ndërtimit të besimit dhe të ardhmes së përbashkët evropiane dhe respektim të vlerave qytetare, identike me ata të vlerave evropiane.
LSDM dhe BESA angazhohen për ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike, zhvillim, krijim të kushteve më të mira për gjithë qytetarët që të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, luftë kundër korrupsionit dhe gjyqësi të drejtë, ndërsa integrimi në BE mbetet opsion i vetëm.