Në një ditë të jashtëzakonshme si e sotmja, për Kosovën shtet që feston 12 vite pavarësi, nuk kanë munguar që herët në mëngjes urimet nga krerët e dy shteteve dhe liderët më të rëndësishëm politik dhe aktorët e jetës publike në Shqipëri e Kosovë.
E ndërsa festimet kanë nisur, këtu janë 11 fakte interesante që nuk duhet t’i humbisni për Ditën e Pavarësisë së Kosovës që sot shenjon plot 12 vite liri dhe shtet-formim!
Fakte mbi 17 shkurtin:
-Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta.
-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi.
-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti i asaj kohe Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
-Pergamena e vjetër 200-vjeçare, në të cilën është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin u vunë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës në seancë, si dhe flamuri i vendosur në Seancën e Shpalljes së Pavarësisë.
-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë.
-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi
-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.
-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /Albeu/